AIDSSH deklasifikon dosjen e TOB, 45 artistë survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit

TIRANË, 12 maj /ATSH – I. Vata/ Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklasifikon dosjen e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Dosja mund të vihet në dispozicion të studiuesve në përputhje me ligjin 45/2015 i ndryshuar dhe udhëzuesin për studiues e media.

Dosja e Objektit të Rëndësisë së Veçantë për Teatrin e Operas dhe Baletit, me dy fashikuj, është deklasifikuar më 2.04.2021. Dosja është hapur në vitin 1973 dhe mbulon survejimin e strukturës së Bibliotekës Kombëtare, Pallatit të Kulturës dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Dosja ORV është mbyllur më 16.03.1991.

Rreth 78 vetë (kompozitorë, balerinë, këngëtarë, orkestrantë) punonin në Teatrin e Operas dhe Baletit, mes të cilëve edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. 53 persona survejoheshin, sepse sipas raporteve të Sigurimit rezultonin me “qëndrim të keq politik”.

Mes tyre, 45 survejoheshin në TOB, 6 në Bibliotekën Kombëtare dhe 2 në Pallatin e Kulturës Masive.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.