Trajtimi i rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore/ 26 gjyqtarë trajnim nga OSBE dhe Shkolla e Magjistraturës

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Prezenca e OSBE në Shqipëri i kushton vëmendje të veçantë rritjes së kapaciteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve për trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore nga këndvështrimi i mbrojtjes së viktimave.

Prezenca dhe Shkolla e Magjistraturës ofruan raundin e parë të kurseve të trajnimit për 26 gjyqtarë dhe prokurorë me synim pasurimin e njohurive të tyre rreth legjislacionit të ri kundër trafikimit dhe praktikat më të mira për të siguruar zbatimin efektiv të qasjeve të bazuara tek të drejtat e njeriut dhe viktimat në procesin penale.

Prezantimet dhe diskutimet nxitën shkëmbimin e mendimeve mbi rolin e gjyqësorit në lidhje me masat anti-trafikim në vend, duke balancuar mbrojtjen e të drejtave të viktimave me dënimin e autorëve të veprave penale.

Trajnimet u zhvilluan në kuadër të programit “Transformimi i përgjigjes kombëtare ndaj trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”, i cili zbatohet nga një konsorcium organizatash vendase dhe ndërkombëtare që udhëhiqet nga UNICEF Albania dhe mbështetet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.