Stadiumi i ri i Kukësit/ Vijon puna me ritme të larta për ndërtimin e tij

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Në Kukës vijon puna me ritme të larta për stadiumin e ri “Zeqir Ymeri” të këtij qyteti verior.

Stadiumi i ri i Kukësit do të plotësojë të gjitha kriteret që duhen për të pritur edhe ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ndërtimi i këtij stadiumi.

“Mirëmëngjes dhe me disa sekonda nga kantieri i stadiumit të ri të Kukësit, “Zeqir Ymeri”, ju uroj ditë të mbarë”, – tha Rama.

Stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës është një tjetër projekt i premtuar nga qeveria shqiptare, i cili po ndërtohet sipas parametrave të UEFA-s.

Impianti i ri sportiv në veri të vendit, i cili parashikohet të përfundojë në fund të gushtit, do të ketë 8 mijë vende, ndërsa pjesë e tij do të jenë dhe ambientet akomoduese.

Në këtë stadium do të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që është sipas standardeve më të mira i pajisur me një sallë konferencash për 80 persona, dhomën e delegatëve të UEFA-s me të gjitha standardet, dhomat e veshjeve etj/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.