Sezoni turistik/ Në qendrat shëndetësore teste të shpejta antikovid

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli foli sot për situatën e pandemisë në vendin tonë, teksa bëri të ditur disa nga masat që do të ndërmerren për të siguruar ecurinë e sezonit turistik veror.

“Vaksinimi në Shqipëri po ecën shumë mirë, ne vazhdojmë të jemi për ritëm vaksinimi në vendet e para të Ballkanit dhe njëkohësisht jemi në të njëjtat nivele me mesataren e Europës”, tha zv.ministrja.

Sipas saj, deri tani janë vaksninuar mbi 600 mijë persona dhe procesi vazhdon.

“Nga këta persona, mbi 200 mijë veta kanë marrë dozën e plotë të vaksinimit dhe sipas të dhënave të ISHP-së rezulton se rreth 20 % e popullsisë që ka indikacion për vaksinim pra ata që janë mbi 16 vjeç, tashmë janë të vaksinuar”, tha Rakacolli.

Sa i përket sezonit veror, zv.ministrja informoi se në qendrat shëndetësore, në zonat turistike do të ketë teste të shpejta që arrijnë të dallojnë nëse një qytetar është i infektuar me COVID-19.

“Organizimi shërbimit shëndetësor gjate periudhës turistike është një nga prioritetet që ka Ministria e Shëndetësisë dhe natyrisht që tashmë prioritet është dhe pandemia. Një element për të vendosur nëse një i sëmurë që paraqet shenja është COVID apo jo është testi i shpejtë. Kështu që padyshim testet e shpejta do të jenë të pranishme në qendrat shëndetësore për t’u përdorur atëherë kur mjekët e gjykojnë të rëndësishme për të bërë diagnozën diferenciale”, u shpreh Rakacolli.

Zv.ministrja apeloi qytetarët për respektimin e masave në mënyrë që të kemi një verë me më pak kufizime.

“Po krijohet një lloj vetkënaqësie sikur pandemia ka mbaruar. Nuk ka mbaruar, nuk duhet të gënjehemi. Duhet të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet masat. Vetëm nëse do të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet masat, ashtu si ne rekomandojmë, do t’ia dalim me sukses që të kalojmë një verë të qetë e me më pak kufizime”, tha zv.ministrja. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.