“Para 7 vjetësh s’kishte ujë për tokën, sot 400 ha të kultivuara me perime”/ Lekaj në Rrogozhinë, pamje bukur e Shqipërisë që punon

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Një pamje e bukur e Shqipërisë që punon. Kështu e cilësoi sot  Kryeministri Edi Rama fshatin Lekaj në Rrogozhinë ku kultivohen vreshta, pemë frutore dhe ullinj.

Kreu i qeverisë publikoi një video me tokat e mbjella nga fermerët e kësaj zone.

“Një pamje e bukur e Shqipërisë që punon. Lekaj, Rrogozhinë aty ku deri para 7 vjetësh s’kishte ujë për tokën, sot janë 400 ha të kultivuara me perime (shalqi, domate, speca), 160 ha vreshta kryesisht kultivarë rrushi për tavolinë, 80 ha pemë frutore (pjeshkë, nektarinë, kumbull) dhe rreth 50 mijë rrënjë ullinj”, shprehet Rama.

Fermerët po mbështeten gjithnjë e më shumë nga qeveria përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Në mars të këtij viti kanë nisur aplikimet në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2021 që adreson për 804 milionë lekë subvencione për fermerët, në nëntë masa mbështetëse. /k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.