Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 664 milionë lekë

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 664 milionë lekë në fund të prillit 2021, nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave, bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë.

Në një njoftim për shtyp, BSH-ja thekson se, në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për katër vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në nivelin 2.668 miliardë lekë.

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.

Në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5 % të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit. Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit.

Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 6.64 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2021, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 664 milionë lekë.

“Kontributi vjetor i llogaritur sipas rregullores “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe procedurat administrimit të tij”, e ndryshuar, u pagua i plotë në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sistemit bankar, brenda datës 30 prill 2021.

Pas mbledhjes së kontributit për vitin e katërt, në fund të muajit prill 2021, mjetet financiare të fondit arritën nivelin e 2.668 miliardë lekëve, si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në katër vite (2018-2021)”, njofton BSH-ja.

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.