“Europa, amanet dhe detyrim ndaj fëmijëve tanë”/ Rama për Euronews Europe: Do të punojmë gjithnjë e më fort për ta bërë Shqipërinë një shtet europian që funksionon plotësisht


TIRANË, 11 maj/ATSH/ “Për ne Europa nuk është destinacion politik apo një objektiv, Europa është një fe, një amanet dhe në të njëjtën kohë një detyrim ndaj fëmijëve tanë, ndaj ne do të punojmë gjithnjë e më fort, për ta bërë Shqipërinë një shtet europian që funksionon plotësisht”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Euronews Europe me gazetaren Giorgia Orlandi, në emisionin “Global Conversation”.

Kryeministri Rama foli lidhur me ecurinë e procesit të integrimit në BE.

I pyetur mbi mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, Rama tha se “është shumë e vështirë ta thuash, sepse këtë hap duhej ta ndërmerrnim disa vjet më parë dhe përsëri e përsëri”.

“Por nuk ndodhi… për shkak të dinamikës së brendshme në Këshillin Europian dhe… shpresojmë se ky do të jetë rasti. Po nuk është e lehtë”, tha ai.

Pyetjes se çfarë do të bëjë Shqipëria nëse bisedimet ngecin sërish, Rama tha se “ne nuk planifikojmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë, sepse për ne Europa nuk është destinacion politik apo një objektiv, Europa është një fe”.

“E askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri, për shkak të faktit të thjeshtë se Europa është një amanet dhe është në të njëjtën kohë një detyrim ndaj fëmijëve tanë. Kjo është arsyeja se përse ne do të punojmë gjithnjë e më fort, më fort, më fort, për ta bërë Shqipërinë një shtet europian që funksionon plotësisht”, tha ai.

I pyetur lidhur me domethënien që ka anëtarësimi në BE për Shqipërinë sot, Rama tha se, “ka gjithmonë po aq shumë domethënie sa kishte ditën e parë”.

“Shqiptarët nuk lodhen kurrë së luftuari për të qenë pjesë e Europës. Sigurisht, zhgënjimet kanë qenë vijuese dhe Europa nuk ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve të saj. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë sepse, siç thashë, për ne Europa është ajo që ka qenë që nga dita e parë, kur kemi dalë nga komunizmi dhe kjo është hera jonë e parë në histori që ne mund të zgjedhim. Asnjëherë nuk e kemi pasur mundësinë e zgjedhjes, të tjerët vendosnin për ne dhe vendi ynë ishte në hapësira të tjera, por jo në hapësirën që dëshironim gjithmonë e që është Europa, Bashkimi Europian”, shtoi ai.

Rama tha se, “duke mos qenë plotësisht i integruar në Bashkimin Europian, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë gri që i ofron tërheqje dhe shanse aktorëve të tjerë… aktorë të tretë që nuk kanë të njëjtën qasje beninje dhe të njëjtat vlera dhe parime që Bashkimi Europian ofron”.

“Sa për Shqipërinë, nuk shoh ndonjë rrezik të afërt, sepse shqiptarët janë shumë fanatikë për Perëndimin dhe për Bashkimin Europian. Vendet e tjera pak a shumë kanë shumë më shumë lidhje me këto ndikime nga aktorë të tjerë”, tha ai.

Lidhur me ecurinë e reformave në Shqipëri, Rama tha se “ka një ndryshim të madh midis anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe hyrjes në rrugën e plotë të negociatave”.

“Siç jemi sot nuk jemi gati të jemi anëtarë, pa dyshim. Por siç jemi sot, ne jemi më se gati për të hyrë në rrugën e plotë të negociatave dhe këtu qëndron pika kontradiktore, ku Europa po tregohet dritëshkurtër dhe disi edhe hipokrite, sepse Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e plotë të negociatave”, shtoi ai.

Pyetjes nëse është ky progres që e ndihmoi PS-në të zgjidhej sërish për një mandat të tretë, Rama iu përgjigj: “Mendoj se njerëzit në Shqipëri kanë ndjesinë e qartë se puna nuk ka mbaruar. Mandati i tretë është një mandat i qartë për të mbaruar punën, jo shpërblimi për një punë të përfunduar”.

I pyetur mbi dokumentin jozyrtar që është qarkulluar në Bruksel, që mbron idenë e ripërcaktimit të kufijve të Ballkanit Perëndimor, Rama tha se “qëndrimi im është shumë i thjeshtë. Për sa kohë ne, dhe kur them ‘ne’ e kam fjalën për gjithë aktorët, lojtarët – Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, lojtarët në rajon – nuk do të përmbysim status quo-në me një qasje shumë të hapur dhe të qartë, frustrimet do të jenë të pranishme dhe do të shfaqen nga idetë më qesharake deri te idetë më të çuditshme”.

“Sepse status-quo-ja nuk është një opsion. Po teksa kemi mosmarrëveshje të thella për të zgjidhur ne duhet të biem dakord që të mos biem dakord për to, po ama në të njëjtën kohë duhet të shtyjmë bashkarisht për të forcuar bashkëpunimin tonë, që të krijojmë në rajon një zonë Shengen funksionale me të gjitha liritë e Europës”, tha ai. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.