COVID-19/ Bala: Vera do të jetë pa stres, s’do kemi më valë të madhe të virusit

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Shefja e Shërbimit Universitar të Pneunomologjisë pranë spitalit “Shefqet Ndroqit” në Tiranë, Silvana Bala deklaroi sot se vaksinimi masiv ka sjellë një situatë të qetë edhe në spitale.

Në një intervistë në medie Bala tha se në këtë spital aktualisht ka 37 pacientë, 3 në reanimacion dhe 1 i intubuar. Sa i përket shtrimeve, Bala tha se mesatarja është 3-4 pacientë në ditë.

“Flasim për hir të së vërtetës për një ulje të rasteve për një gjendje më të qetë të pandemisë. Sot nga spitali ku unë vij janë rreth 37 pacientë, 3 në reanimacion një i intubuar dhe shtrime të cilat bëhen për një mesatare ditore 3-4 shtrime. Këto shtrime janë kryesisht nga Korça, Elbasani apo Librazhdi pasi Tirana është e angazhuar për t’i çuar në Spitalin Infektiv, ndërsa zona e jugut sjell pacientët e rëndë në spitalin tonë. Për hir të së vërtetës moshat të cilat paraqiten nuk janë shumë të vjetra, flasim për mosha mbi 50- 60 vjeç dhe 80 vjeç”, deklaroi Bala.

Përgjatë një viti e gjysmë te COVID 2 janë shtruar 2500 pacientë. Por ndërsa e cilësoi situatën e pandemisë të vështirë, Bala tha se në këtë betejë ka më shumë fitore sesa humbje.

“Kemi pasur 2500 shtrime në spitalin ku punoj gjatë një viti e gjysëm. Kishte të sëmurë të rëndë me pamjaftueshmëri në frymëmarrje. Familjarë të alarmuar që nuk kuptonin sa e rrezikshme ishte kjo sëmundje, ishte një luftë që ne kishim me familjarët. Familjarët nuk shikonin se çfarë bënin bluzat e bardha me këto pacientë dhe shumë herë edhe kanë baltosur sistemin shëndetësor dhe kjo gjë nuk është se na ka shtangur, kemi arsyetuar dhe justifikuar gjendjen emocionale. Në një betejë ka humbje dhe fitore. Sot ne kemi më shumë fitore sesa humbje”, nënvizoi Bala.

Referuar studimeve që janë bërë, nëndrejtoresha e COVID 2 thotë se burrat janë më të prekur nga virusi, sakaq shton se kanë shënuar edhe numrin më të lartë të viktimave.

“Në të gjithë botën studimet thonë se burrat janë më të prekur se gratë. Disa nënvizojnë pjesën hormonale të testosteronit që është më i lartë te burrat dhe ndërvepron në sistem imunitar. Te burrat ka më shumë vdekje se te gratë. COVID do jetë një sëmundje e shekullit dhe do ketë shumë studime rreth kësaj sëmundje”, shtoi nëndrejtoresha.

Vaksinimi ka dhënë rezultate, tha Bala ndërsa theksoi se kjo është reflektuar te rënia e shtrimeve, por edhe te siguria e mjekëve për të shërbyer pasi tashmë s’kanë më frikë.

“Ka dhënë rezultat mjaft të mirë. Pavarësisht se kalova sëmundjen jam vaksinuar dhe e ndiej veten më të qetë në punën time. Nuk është më ajo ndrojtja dhe frika. Tashmë ke njëlloj sigurie dhe personeli shërben më i gatshëm, më i hapur dhe më i sigurt. Por vaksinimi pati ndikim edhe te grupet e tjera. Kjo është reflektuar te rënia e shtrimeve”, u shpreh ajo.

Ndërsa foli për të ardhmen e COVID në vendin tonë ajo tha se vera do të jetë pa stres por me kufizime.

Bala u shpreh për rikthim të COVID në vjeshtë dhe dimër, por theksoi se s’do të kalohet një valë si vitin e kaluar.

“Vera do jetë një verë tjetër krahasuar me atë të kaluarën. Është një verë që s’do të ketë më stresin se pjesa më e madhe do jenë të vaksinuar por do përjashtojë tavolinat e mëdha. Do jemi më të rezervuar. S’do kemi një valë të madhe siç kaluan vjeshtën e kaluar. Kemi bërë vaksinim jemi ndërgjegjësuar. Valëza të COVID do kemi, virusi në dimër dhe vjeshtë mund të shfaqet dhe të ketë numër më të madh se sot, por spitalet janë të përgatitura për çdo lloj situate”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.