COVID-19 – Antikorpet mbeten në gjak të paktën tetë muaj pas infektimit

ROMË, 11 maj /ATSH-AFP/ – Antikorpet që neutralizojnë COVID-19 mbeten në gjak për të paktën tetë muaj pas infektimit, sipas një studimi italian të publikuar sot.

“Ky konstatim është i vlefshëm pavarësisht nga ashpërsia e sëmundjes, mosha e pacientëve ose prania e patologjive të tjera”, sipas këtij studimi të kryer nga spitali prestigjioz San Raffaele në Milano në bashkëpunim me Institutin e Lartë të Shëndetësisë (ISS) ), organi që këshillon qeverinë për çështje të shëndetit publik.

“Prania e antikorpeve megjithëse zvogëlohet me kalimin e kohës, është shumë e vazhdueshme. Tetë muaj pas diagnozës, vetëm tre pacientë nga 162 ndjekje (29 prej të cilëve humbën jetën) nuk ishin më pozitivë në testin për dedektimin e këtyre antikorpeve”, theksuan në një komunikatë të përbashkët San Raffaele dhe ISS.

Përveç kësaj, prania e hershme e këtyre antikorpeve është thelbësore për të luftuar me sukses infeksionin. Ata që nuk arrijnë t’i prodhojnë ato në dy javët e para pas infektimit rrezikojnë më shumë për të zhvilluar forma të rënda të COVID-19.

Ky studim u krye nga Njësia e Evolucionit dhe Transmisionit Viral të Spitalit San Raffaele, në bashkëpunim me studiuesit nga Instituti i Kërkimit të Diabetit në të njëjtin institucion, të cilët zhvilluan një test specifik për antitrupat duke përdorur teknika të përdorura tashmë për të studiuar antitrupat e përfshirë në përgjigja autoimune themelore e diabetit tip 1./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.