Basha në Durrës: Nuk do ta ndalim në asnjë çast punën për të sjellë ndryshimin për të cilin vendi ka nevojë

TIRANË, 11 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me qytetarë në Durrës.

Ai tha se që në fillim të fushatës e kemi thënë dhe e kam thënë të qartë që kjo betejë nuk bëhej as për mua dhe as për Partinë Demokratike. Kjo betejë bëhej për shqiptarët, bëhej për Shqipërinë, kjo betejë bëhej për prindërit tanë, të cilët prej vitesh lëngonin me pensione të mbetura në vendnumëro, me koston e jetës të rritur, kjo betejë bëhej për të rinjtë që duan të ikin, për t’i mbajtur këtu, kjo betejë bëhej për ndërmarrjet që mos të mbyllnin vendet e punës, për biznesin e vogël që mos të mbyllte qepenat, për të sëmurët, për shëndetësinë, për arsimin, për vendin tonë, për familjet tona, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

“Ne morëm përsipër një mision. Një mision për ta drejtuar këtë vend pas 8 viteve lëngate, vjedhje, krimi dhe poshtërimi, drejt një të ardhme më të mirë. Ky ishte misioni ynë. Me këtë mision iu përveshëm fushatës derë më derë. Një fushatë qytetare, një fushatë europiane, me program, me ide, me zgjidhje, me ofertë konkrete, me pastërtinë e shpirtit të demokratëve që na ka karakterizuar prej ditëve të para të fillesave tona si një familje e madhe politike. Shumëkush më ka thënë këto ditë se beteja i përngjiste ’91-shit. Njësoj si në 1991 ne u futëm në këtë betejë të barabartë me qytetarët. Njësoj si ta, por me peshën dhe përgjegjësinë mbi supe për të arritur diçka që vetëm ne mund ta udhëhiqnim; ndryshimin që të gjithë prisnin. E dimë fare mirë dhe e dinim edhe atëherë se përballë do të kishim bandat. Bandat e Durrësit, bandat e Shijakut, bandat e Krujës dhe të Fushë-Krujës të bëra njësh me pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite të Edi Ramës. E dinim fare mirë se në muajt, madje në vitin pararendës, ky pushtet bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Basha shtoi se “të gjithë e dimë, demokrat e socialiste, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të Dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës së Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës dhe po kështu anembanë Shqipërisë. Jemi dëshmitarë, madje edhe mediet ndërkombëtare kanë publikuar sesi  keqpërdorën thesarin e shtetit, paratë tuaja duke i mbajtur në fije të perit për bukën e gojës dhe pastaj në çastin e fundit duke shpenzuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, 89 herë më shumë para për të blerë votën e njerëzve të goditur dyfish nga varfëria dhe tërmeti dhe nga tradhëtia dhe braktisja e Edi Ramës. Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna, që nga Ardian Çela i OSHEE, tek Benet Beci i KESH-it e Laert Duraj i Postës Shqiptare e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, dosjet e të cilëve dergjen prej dy muajsh në SPAK dhe në Prokuroritë e vendit. Kjo është gjendja e megjithatë një gjë qëndron: siç e dinë themeluesit dhe qëndrestarët mes nesh, siç e mësoi në këtë betejë rinia demokrate durrsake dhe rinia demokrate e të gjithë Shqipërisë demokratët nuk dorëzohen kurrë. Sepse njësoj si në 91-shin dhe në 2001-shin e në çdo betejë tjetër ne jemi e vetmja garanci, e vetmja digë që e ndan të mirën nga e keqja, dëshpërimin nga shpresa, errësirën totale nga mundësia e një fije drite. Ne jemi jemi nisur për t’i çuar shqiptarët drejt një të ardhmeje më të mirë. 25  prilli është një masakër elektorale ku vullneti i zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin. Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të  ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdojë deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”.

Ai tha se prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar. Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anembanë vendit.

“Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe. Është e njëjta KQZ dhe i njëjti KAS i cili me urdhër të Edi Ramës prishi fletën e votimit, pasi prishën Kushtetutën dhe pasi miratuan në mënyrë antikushtetuese ndryshimet e 5 tetorit. Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë. Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e  qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën  e tyre. Mbi 680 mijë vota duke përfshirë edhe ato që pavleftësoi marifeti i fletës së votimit, janë votat e shqiptarëve të pastër të shqiptarëve që as nuk u shantazhuan as nuk u blenë, as nuk u frikësuan, as nuk u intimiduan, por ecën përpara për veten e tyre, për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre por duke besuar tek forca, fuqia e Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë. Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do tu themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim. Ne nuk e kërkuam pushtetin për veten tonë. Ne e dorëzuam pushtetin për t’u bërë njësh me qytetarët, bashkë me qytetarët, për të hapur një rrugë të re dhe një të ardhme më të mirë, dhe një të ardhme qytetare, normale, europiane për gjithë shqiptarët”.

“Do të vazhdojmë, sepse për ne pushteti nuk është një mjet për të akumuluar grupe kriminale dhe para, dhe pastaj për të vjedhur e blerë votat por është një mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve, ndaj e them dhe njëherë, pushteti i marrë me bandat, pjell vetëm krim. Ne do ta fitojmë këtë betejë duke bërë pikërisht të kundërtën, duke bërë gjithçka që ata të përfundojnë aty ku e kanë vendin dhe duke bashkuar të gjithë shqiptarët deri në përfundimin e pashmangshëm të kësaj beteje që është ndryshimi që presin dhe dëshirojnë të gjithë”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.