Tabaku: Parlamenti, hapësirë për të bërë betejën ligjore të nisur për 25 prillin

TIRANË, 10 maj /ATSH – I. Vata/ Deputetja e zgjedhur e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi sot se e sheh parlamentin si një mundësi për të zhvilluar betejën ligjore të nisur me zgjedhjet e 25 prillit.

E ftuar në një emision televiziv, Tabaku tha se situata është shqetësuese, për nga mënyra si u zhvilluan zgjedhjet, për rezultatin që nuk reflekton vullnetin e vërtetë të qytetarëve, për faktin se Shqipëria është në udhëkryq.

“Pavarësisht faktit që mbështetja erdhi, që ne u votuam masivisht, që u votuam më shumë se çdo herë tjetër të paktën në 10 vitet e fundit, pati një deformim të vullnetit dhe njerëzit janë të orientuar çfarë do të ndodhë nesër, çfarë hapash do të merren”, tha ajo.

Në vijim Tabaku shtoi se PD do të përdorë çdo hapësirë duke përfshirë edhe Parlamentin.

“Sfida bëhet akoma më e vështirë duke patur parasysh sfidën ligjore që ne kemi nisur. Parlamentin e shikoj si një mënyrë për të bërë gjithë këtë betejë ligjore, duke shfrytëzuar dhe hapësirat e parlamentit duke filluar nga komisionet hetimore dhe instrumentet e tjerë që ofron parlamenti”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.