Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ruçi: Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe e papengueshme

TIRANË, 10 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh sot në Ditën Kombëtare të Drejtësisë se kjo ditë është ditë reflektimi, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por për të gjithë ligjvënësit shqiptarë, madje për të gjithë qytetarët.

“Këtë vit, kjo ditë kujtohet me një bilanc të shtuar në zbatimin e Reformës në Drejtësi, avancimin e Vetting-ut dhe ngritjen e institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit. Gjatë kësaj legjislature dëshmuam se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe e papengueshme”, u shpreh Ruçi.

“Si Kryetar i Kuvendit, ndjehem krenar që Kuvendi përmbushi angazhimin e marrë para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtare dhe Gjykata Kushtetuese u bë funksionale brenda vitit 2020, ndërsa Gjykata e Lartë po rindërtohet dhe plotësohet me ritme të shpejta. Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë po me këtë vizion dhe po me këtë vendosmëri për të kontribuar në misionin për ndërtimin e një sistemi drejtësie, busulla e të cilit është shteti i së drejtës, mbrojtja e interesit publik dhe e të drejtave e lirive të qytetarëve”, përfundoi Kryetari i Kuvendit, Ruçi. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version