Rey Manaj shënon një super-gol në Spanjë, i 12-të për këtë sezon

TIRANË, 10 maj /ATSH/ -Sulmi i Kombëtares shqiptare vazhdon të tregojë një formë në rritje javët e fundit, teksa lojtarët kryesorë të këtij reparti po shkëlqejnë me klubet e tyre nëpër Europë.

Këtë fundjavë ishte sërish Rey Manaj, ai që nuk mungoi në takimin me golin. Bomberi shqiptar realizoi për Barcelonën B në fitoren e vështirë 4-3 ndaj Villareal B, që e mban ekipin katalanas në lojë për t’u ngjitur një ligë më lart sezonin e ardhshëm.

Manaj realizoi në minutën e 67-të një gol mjaft të bukur për nga realizimi, duke goditur një diagonale me të djathtën në hyrje të zonës, që nuk i la asnjë shans portierit kundërshtar.

Ky gol, që fiksoi shifrat momentale në 4-1 për Barcelonën B, do të rezultonte vendimtar në fund për 3 pikët, pasi Villareal B shënoi edhe dy herë të tjera, duke ngushtuar diferencën dhe mund të kishte barazuar.

Ishte goli i 12-të sezonal për Rey Manajn, i cili edhe me Kombëtaren ka bërë paraqitje shumë të mira në ndeshjet e fundit. Ashtu si Broja, Cikalleshi dhe Uzuni, edhe lushnjari ka shënuar rregullisht me klubin duke premtuar edhe më shumë gola kuqezi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.