PS mbledh Kongresin e Jashtëzakonshëm në 12 qershor/ Fushatë hapje e PS-së me anëtarësime të reja

TIRANË, 10 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e Jashtëzakonshëm në 12 qershor, në 30-vjetorin e krijimit të kësaj force politike, ku do të paraqesë edhe vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës.

Në një takim me deputetë të PS-së në ambientet e Pallatit të Brigadave, Rama tha se, “mesazhi im i parë është që të jemi gati për të nisur qysh tani përgatitjen e fitores tjetër në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe të fitores në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

“Duhet të jemi gati në Kuvend dhe në çdo nivel të ekzekutivit për të analizuar në çdo aspekt mandatin e dytë dhe ndeshjen e sapopërfunduar që të kuptojmë ku duhet të ndërhyjmë për përmirësime të mëtejshme të makinës sonë elektorale dhe për t’u reformuar më tej”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “duhet të nisim menjëherë një fushatë hapjeje të re të PS-së dhe të krijojmë mundësi të besueshme përfshirje të gjithë atyre që duhet të bëhen pjesë të kësaj familje dhe të rirreshtojmë nga e para forcat në terren”.

“Kush nuk e ka arritur objektivin duhet t’ja lërë vendin dikujt tjetër, po ashtu edhe kush nuk ja ka zbardhur faqen kësaj shumice. Një komision i posaçëm i organizmit duhet të ngrihet me shpejtësi dhe në çdo qark që do të jetësojmë këtë operacion ripërtëritës me anëtarësime të reja”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “qeveria e re do të krijohet pas sezonit të verës, por puna për planet e detajuara të ekzekutivit do të bëhet tani”.

“Kongresi zgjedh edhe Asamblenë e re Kombëtare ku do të hyjnë më të dalluarit, të cilët marrin detyrat për fushatën e anëtarësimeve të reja dhe organizimin e partisë në territor”, tha Rama.

Fitore domethënëse me një rritje historike për PS në 25 prill

“Fitore domethënëse me një rritje historike për Partinë Socialiste”, e cilësoi sot Kryeministri Edi Rama rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa theksoi se, “ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme ta kthejmë këtë në punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për arritje historike për Shqipërinë e kësaj dekade ku sapo kemi hyrë”.

“Urimi im është për të gjithë pa përjashtim edhe pse jo të gjithë keni dalë të lumtur nga vlerësimi personal nga ndeshja që foli qartë dhe me rezultat bindës dhe të plotë. Ju duhet të ndiheni si fitues si pjesë e kësaj skuadre fituese dhe të punoni si fitues në çdo nivel. Të gjithë këtu e kanë dhënë një kontribut në këtë fitore që është kontribut i dhënë në 4 vite dhe jo vetëm në 4 javë gjatë fushatës. Për mua nuk kanë rëndësi votat individuale, por realizimi i objektivit të triumfit të madh të numrit 12 dhe realizimi në nivel qarku”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “listat e hapura kanë sjellë përparësi të mëdha, por edhe dëme anësore që duhen analizuar me kujdes për zgjedhjet e ardhshme për të nxjerrë mësimet e duhura për këtë sistem zgjedhor për ndeshjen tjetër pas 4 vjetësh”.

“Gjynah që nuk kemi mundur ta maksimizojmë rezultatin në plus 4 mandate në Dibër, Shkodër, Tiranë dhe Elbasan ku qytetarët kanë zgjedhur numrin 12, por kanë gabuar në zgjedhjen e kandidatëve. Kjo nuk e bën më pak të çmuar marrjen e 74 mandateve. Kjo i bën këto 74 mandate shumë domethënëse pasi mandati i dytë ishte skajshmërisht i vështirë për shkak të tërmetit dhe pandemisë, që e bën këtë mandat të dytë më të jashtëzakonshëm”, tha Rama.

Mbajmë premtimet për uljen e taksave dhe paketën 10 miliardë euro të investimeve

Kryeministri Rama tha se Partia Socialiste ka mundësinë historike që në mandatin e tretë ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër realisht, duke e bërë gati për majën ku Shqipëria mund dhe duhet patjetër të ngjitet brenda kësaj dekade.

“Ne do t’i mbajmë një për një zotime tona duke nisur nga zerimi i taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë në 1 janar të vitit të ardhshëm; ulja e taksës mbi pagat mes 1.2 dhe 2.5 milionë lekë nga 1 janari i vitit të ardhshëm; rritja e përvitshme graduale e pagës minimale për të arritur deri në 380 apo mundësisht 400 mijë lekë brenda mandatit të tretë dhe mosprekja e tatimfitimit zero dhe TVSH-së zero për biznesin e vogël deri në 2029”, tha Rama.

Kryeministri tha se do të vazhdojmë me ndërtimin e porteve dhe aeroporteve të reja, që me përjashtim të portit turistik të Shëngjinit, do të kenë nisur të tëra brenda qershorit të vitit të ardhshëm.

Rama tha se do vazhdojmë dhe me gjithë paketën e 10 miliardë eurove investime, ku veç porteve e aeroporteve hyjnë projektet e infrastrukturës rrugore dhe energjisë.

3 mandate radhazi të PS/ Objektiv historik, mirënjohje për besimin e palëkundur

Kryeministri Edi Rama shprehu sot mirënjohjen e tij për besimin e palëkundur dhe mbështetjen pa rezervë që i dhanë për të realizuar së bashku këtë objektiv historik të 3 mandateve radhazi të PS-së.

“Kjo është një arritje fantastike, por ama të mos harrojmë për asnjë sekondë se ndryshe nga sporti ku fitorja e një kompeticioni është fundi i lumtur i një përpjekje të madhe, fitoret në politikë janë vetëm fillimi i ri i një përpjekjeje edhe më të madhe. Ne kemi fituar tre herë radhazi, sepse përtej të gjithave kemi qenë dhe jemi ende sot e gjithë ditën, forca më e besueshme e ndryshimit. Dhe kush do ndryshim të mëtejshëm, deri tani, ka vetëm një zgjedhje, PS-në. Kjo nuk ka ardhur as për rastësi, as për inerci, por sepse qysh në lindjen e kësaj force politike ne kemi bekimin e një shtyse të vetë ndryshimit në ADN-në e organizimit kësaj partie. Dhe jemi e vetmja forcë politike që ndryshon edhe kur fiton dhe arrin të jetë më e re se çdo forcë e re dhe kjo është sfida e vazhdueshme, prandaj jemi gati që të vazhdojmë të përballemi me sukses me këtë sfidë duke vazhduar të ndryshojmë vetveten duke e ripërtërirë përsëri PS-në. Që të vazhdojmë të ndryshojmë Shqipërinë duke e ngjitur në majën ku e meritojnë fëmijët tanë”, u shpreh Rama.

“Kampionët e Formula 1 pasi ngrenë trofeun, futen në garazh dhe bëjnë remont të plotë të makinës duke këmbëngulur që ta bëjnë atë më të shpejtë, më kompetitive dhe më të pathyeshme. Kjo është ajo që kemi bërë dhe që kemi mësuar ta bëjmë jo keq, por që mund ta bëjmë gjithmonë e më mirë duke iu përkushtuar bashkërisht misionit që kemi”, tha Rama.

“Misioni ynë është ta ngjisim Shqipërinë në majë dhe ky është momenti ynë për të provuar përpara të gjithë shqiptarëve se ne jemi të vetëdijshëm për çfarë barre të madhe përgjegjësie dhe për çfarë nderi të pashoq shqiptarët na kanë bërë në 25 prill. Dhe se ne dimë të jemi në lartësinë e besimit dhe të mbështetjes së tyre”, theksoi Rama.
“Shumë faleminderit të gjithëve! Dhe në mbyllje, fjala ime e fundit duke ju parë këtu përballë është se sot këtu jemi të gjithë deputetët, një pjesë e madhe e juaj janë përsëri deputetë, një pjesë tjetër nuk do të jenë më deputetë, por mos harrojë askush që skuadra jonë ka fituar falë secilit dhe secilës prej jush që jeni këtu në radhë të parë. Sepse siç e thashë më parë, kjo nuk është një fitore e arritur në kilometrin e fundit, por kjo është fitorja e një maratone të vështirë, që ka zgjatur plot 4 vjet. Dhe për këtë duke u ndjerë të gjithë pa asnjë rezervë dhe pa asnjë dyshim fitues, ne duhet tani të bëjmë gjithçka na takon për ta merituar plotësisht atë që shqiptarët panë dhe besuan, kur votuan numrin 12. Dhe në nder të numrit 12, në 12 qershor ta kremtojmë me krenari dhe me të gjithë dinjitetin që na takon ditëlindjen e PS-së”, tha Rama.

Revolucioni dixhital/ Kemi hedhur bazat e një shteti në shërbim të qytetarëve, pa vonesa dhe pa ryshfet

“Me revolucionin dixhital, ne kemi hedhur bazat e një shteti në shërbim të qytetarëve, pa vonesa dhe pa ryshfet”, tha Rama.

Por, shtoi Rama, “na duhet një sforco e re, e madhe dhe e përbashkët për ta finalizuar këtë revolucion, duke e kthyer çdo shërbim në një ndërveprim online dhe paralelisht duke e pastruar deri në fund administratën nga ata që janë turpi i këtij shteti, turpi ynë, në marrëdhënie me qytetarët”.

“Dhe dua që të jemi të gjithë së bashku në këtë sforco, me qartësinë që siç kemi bërë me policët, me mësuesit, me infermierët, duke hequr dorë përfundimisht nga ndërhyrjet politike për punësimin e tyre, duhet të bëjmë me të gjithë administratën në territor. Kjo është domosdoshmëri dhe është e panegociueshme”, theksoi Rama.

“Një rrugë e re mundësish të barabarta dhe konkurrence në bazë të meritës duhet të hapet për çdo vajzë dhe çdo djalë, çdo burrë dhe çdo grua, që ka dëshirën dhe aftësinë të kontribuojë si një shërbëtor publik në administratën e këtij shteti. PS ka më pak se 100 mijë anëtarë. Ka thuajse 800 mijë zgjedhës. Dhe Shqipëria ka mbi 2 milionë qytetarë që duhet ta gëzojnë po njësoj të drejtën për të shërbyer për këtë shtet, sipas aftësisë dhe meritës dhe sipas lidhjeve të llojllojshme me deputetë, me ministra, apo sipas xhepit apo tekave të drejtuesve dhe të përgjegjësve në zyrat e shtetit në territor. Kjo duhet të jetë vetëdije dhe kjo duhet të jetë qasja e mandatit tonë të tretë”, u shpreh Rama.

“Dëshiroj shumë që të gjithë ju së bashku me mua të pedalojmë në të njëjtin drejtim pa u lodhur dhe pa e humbur durimin dhe që askush këtu, me apo pa vetëdije të mos pengojë, por vetëm të kontribuojë me vullnet të mirë që administrata të çlirohet përfundimisht nga kthetrat e interesave politike dhe që fytyra jonë të mos njolloset në vazhdimësi, për shkak të atyre që përfitojnë nga këto kthetra interesash politike dhe pastaj nuk bëjnë asgjë tjetër, përveç se shikojnë xhepin e tyre”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.