Porti i Durrësit/ Fillimjava nis me përpunimin e 4 anijeve tregtare, 4 të tjera në pritje

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Mëngjesin e kësaj të hëne në Portin më të madh të vendit janë akostuar 4 anije tregtare, nga të cilat do të përpunohen rreth 18 010 tonë mall të llojit skrap, çimento, llamarinë.

Ndërkohë në radën portuale dhe në pritje, janë edhe 4 anije të tjera tregtare me mbi 7800 tonë mallra si ure, gurë mermeri dhe skrap.

Sipas Autoritetit Portual të Durrësit, janë gjithsej gati 26 mijë tonë mallra që pritet të përpunohen në port.

Të dhënat e 3-mujorit të parë të 2021, tregojnë rritje të sasisë së mallrave të përpunuar në Portin e Durrësit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Konkretisht, gjatë këtyre tre muajve në portin më të madh të vendit janë përpunuar 971,425 mijë tonë mallra gjithsej, ose 12 % më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2020.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.