Pasuritë e paluajtshme/ BSH: Në 39 % të rasteve shiten me një ulje kundrejt çmimit të parë

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Në 39 % të rasteve, pronat (pasuri e paluajtshme) shiten me një ulje, midis 5 % deri 20 % kundrejt çmimit fillestar.

Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e vrojtimit periodik të pasurive të paluajtshme, që  tregojnë se, pavarësisht rritjes së vazhdueshme në vitet e fundit, çmimet e shitjes janë në masën më të madhe të negociueshme.

Sipas BSH-së, në 9 % të rasteve diferenca mes çmimit të shitjes dhe atij të kërkuar fillimisht është midis 20 % dhe 30 % më e ulët, ndërsa vetëm në 7 % të rasteve ulja e çmimit është më shumë se 30 %. Në 17 % të rasteve, shitësit pranojnë një ulje minimale me më pak se 5 % nga çmimi i parë i kërkuar.

Indeksi i çmimeve të banesave gjatë 6-mujorit të dytë 2020 u rrit me 6.2 % krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Tiranën, çmimet u rritën me 2.3 % me bazë gjashtëmujore dhe 8.9 % me bazë vjetore. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.