“Pas një viti hoqëm veshjet speciale e veshëm bluzën e bardhë”/ Mjeku infeksionist: Vaksinimi po jep rezultat në uljen e infektimeve

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Mjeku infeksionist në Spitalin Infektiv, Edmond Puca tha sot se situata e pandemisë ka njohur një përmirësim të ndjeshëm, nga uljet e rasteve të reja dhe ulja e shtrimeve në spital.

Në një intervistë televizive, Puca tha se rënia e infektimeve ditore lidhet me disa faktorë që nga fakti që po shkojmë drejt imunitetit të tufës, vaksinimit por dhe respektimit të rregullave antikovid.

“Imuniteti që kemi kaluar pasi pandemia ka mbi një vit që është prezente në vendin tonë, në nëntor-shkurt rastet kanë qenë shumë të mëdha, kështu që një pjesë të mirë do ja lija imunitetit të tufës që jemi duke u afruar, por edhe vaksinat kanë bërë punët e tyre, pasi kemi 600 mijë të vaksinuar më e larta në Ballkan për popullatë. Kemi 25-30 % të pacientëve të vaksinuar për numër popullate. Një pjesë e mirë e njerëzve janë të kujdesshëm dhe ruajnë veten”, tha mjeku.

Ulja e shtrimeve në spital është pritur me entuziazëm nga buzat e bardha ku infeksionisti Edmond Puca tha se më në fund ai dhe kolegët e tij arritën pas një viti pandemi të vishnin sërish përparësen e bardhë dhe të hiqnin veshjet speciale antikovid për t’u mbrojtur nga virusi.

“Si unë dhe kolegët e mi pas një viti veshëm bluzën e bardhë dhe kjo është gjëja më e mirë. Një pjesë e mirë e kemi kaluar virusin dhe numri i rasteve është i pakët dhe shpresoj të ecet me këtë ritëm, pasi do të kemi një sezon veror optimist”, tha ai

Puca tha se aktualisht në Spitalin Infektiv janë 30-35 pacientë të shtruar të moshës mbi 60 vjeç, ndërsa simptomat e tyre janë po të njëjta me ato që nga fillimi i pandemisë si vështirësi në frymëmarrje, lodhje apo temperaturë të zgjatur në kohë.

“Aktualisht në Infektiv janë 30-35 pacientë që po marrin shërbimin, numri i rasteve është i limituar, ndërsa grupmosha është ajo që ka qenë thuajse zakonisht 60 vjeç e sipër. Numri i pacientëve me mosha të reja është më pak, por dhe rastet që vijnë janë të limituara. Problematika e pacientëve janë vështirësia në frymëmarrje, lodhja, temperatura e zgjatur, pra nuk ka një klinikë ndryshe nga koha në fillimet e pandemisë”, tha Puca.

Infeksionisti Puca tha se ka pasur edhe raste të infektimit pas kryerjes së dozës së parë të vaksinës, dhe kjo ka ndodhur për faktin se ajo nuk siguron mbrojtje 100 %, por edhe me faktin se mund të kenë qenë të infektuar, para se ta bëni vaksinën dhe nuk e kanë ditur.

“Ka pasur raste kur janë vaksinuar dhe janë infektuar, pasi doza e parë nuk ka efikasitetet 100 %, por mund të ketë pasur rast që pacienti ka qenë i infektuar 2-3 ditë para vaksinës dhe e ka shfaqur më pas”, përfundoi ai./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.