Kraja: Të shkarkuarit nga Vetingu do t’i nënshtrohen filtrave të SPAK

TIRANË, 10 maj /ATSH – I. Vata/ Kreu i SPAK, Arben Kraja ka paralajmëruar se të gjithë ata që janë shkarkuar nga Vetingu dhe kanë probleme me pasurinë, do t’i nënshtrohen filtrave të SPAK.

Në 108-vjetorin e Ditës së Drejtësisë Shqiptare, kreu i SPAK u shpreh se “është moment reflektimi për të gjithë, kryesisht edhe për ne, për të garantuar që do të ketë padiskutim ndëshkim për të gjithë ata që do të shkelin ligjin”.

“Pavarësisht se çfarë funksioni kanë apo çfarë problematikash kanë kryer. Të gjithë, pa diskutim, në momentin që do të ketë prova dhe do të hetohen, pa diskutim që do të ketë, pa asnjë kufizim”, – tha Kraja.

Ndërsa përsa i përket krimeve zgjedhore, Kraja, shprehet se janë 40 procedime penale.

“Ne i kemi vlerësuar të gjitha rastet që kanë ardhur, kryesisht kanë ardhur nga partitë politike që kanë pasur pretendime. Janë filluar mbi 40 çështje, të cilat po hetohen dhe në fund do të ketë rezultat në varësi të rezultateve që do të arrihen. Nuk do të ketë zvarritje, padiskutim do të zgjidhen brenda afateve ligjore që parashikon Kodi i Procedurës Penale për të gjitha rastet që ne kemi në hetim”, – u shpreh kreu i SPAK. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.