Gjykata e Lartë publikon aktin e parë gjyqësor, Kanunin e Zhurisë

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Gjykata e Lartë me rastin e 108-vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë ka publikuar aktin e parë gjyqësor, Kanunin e Zhurisë

“Gjykata e Lartë dëshiron të bëjë një kujtesë në vlerësim të kontributit të vyer të patriotëve shqiptarë, të cilët i kushtuan rëndësi sistemit gjyqësor duke miratuar aktin e parë gjyqësor, Kanunin e Zhurisë, i cili reflektonte parimet e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor, me standardet më të mira ndërkombëtare të kohës”, njofton Gjykata e Lartë.

“Dita Kombëtare e Drejtësisë, është një ditë për të reflektuar sa më mirë në lidhje me zbatimin në mënyrë rigoroze të detyrave kushtetuese dhe ligjore që i shërbejnë forcimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes se interesave të qytetarëve”, vijon njoftimi i Gjykatës.

“Duke parë dhe analizuar të dhënat statistikore, si dhe qëndrimet e mbajtura për konsolidimin e praktikës nga të tre kolegjet e Gjykatës së Lartë, sot mund të themi se besimi në këtë institucion po krijohet dhe po jepet shpresa se situata po ndryshon”, thekson Gjykata.

“Realizimi sa më parë i objektivave të Gjykatës së Lartë dhe angazhimi i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve, të përfshirë në procesin e rëndësishëm të reformës në drejtësi, janë tregues të rëndësishëm dhe shpresëdhënës se drejtësia do të bëhet”, bën me dije Gjykata e Lartë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.