Dita Kombëtare/ Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë dhe frytet po vijnë

TIRANË, 10 maj/ATSH/ “Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë dhe frytet po vijnë”.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka mbajtur fjalën e tij këtë të hënë gjatë ceremonisë për 10 Majin, Ditën Kombëtare të Drejtësisë, duke apeluar që institucionet e drejtësisë kanë tanimë për detyrë të mos i vonojnë këto fryte.

“Ndonëse zyrtarisht jetojmë nën Kushtetutën e ’98-ës, ne kemi një Kushtetutë të re, atë të vitit 2016. Nuk them ndonjë gjë të re nëse them se Kushtetuta e 2016 e rithemeloi drejtësinë mbi baza krejt të reja”, – tha Ibrahimi. Sipas tij, “që nga ajo datë kemi abdikim të plotë të institucioneve përfaqësuese e politike, si qeveria, Presidenca, nga çështjet me drejtësinë”.

Ibrahimi shtoi se drejtësia bashkëqeveriset nga magjistratët.

“Sot drejtësia bashkëqeveriset nga magjistratët dhe përfaqësuesit e lartë të Kuvendit, për depolitizim dhe pavarësi të sistemit, pa cenuar atë që quhet ana tjetër e medaljes, llogaridhënien e atyre që qeverisin drejtësinë. Reforma u plotësua me racionalizimin e punëve të Gjykatave e Prokurorive. Harta e re e institucioneve qeverisëse që përfshin Këshillit i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë e mishëron më së miri konceptin e guximshëm, sipas të cilit kufizimi i institucioneve duhet të shkojë krah për krah me mekanizmat e llogaridhënies”, – tha Ibrahimi.

“Natyrisht që rikonceptimi i modelit të qeverisjes së drejtësisë, është parakusht esencial për të patur në llogari të fundit një drejtësi më të mirë, të drejtë e të shpejtë. Pavarësisht reformës së thellë, operatorët, ata që e ushtrojnë pushtetin gjyqësor, kanë qenë e janë gjykatat e prokurorët. Reforma s’mund të priret tjetërkund veçse tek cilësia, shpejtësia dhe integriteti i Gjykatave e Prokurorive në të gjitha nivelet. A mund të themi që i kemi parë frytet? Për fat të keq, ende jo. Me sa duket efektet beninje, nga racionalizimi i punës së Gjykatës e Prokurorive, administratës, janë neutralizuar në një farë mase nga kirurgjia e thellë e Vetingut. Efektet anësore të Vetingut janë të konsiderueshme. Rënia dramatike e magjistratëve shkon në drejtim të kundërt me qëllimin e Reformës. Por, nga ana tjetër ç’kuptim do të kishte Reforma nëse qelizat kancerogjene do të vijonin të gjallonin në sistem? A nuk do të ishte e kotë sakrifica, i përkohshëm suksesi? Unë mendoj se pavarësisht vështirësive të përkohshme, s’duhet të humbasim nga sytë objektivin. Kemi krijuar kushtet për mirëfunksionim. Kemi sigurinë se 2021 shënon pikën më të ulët të kurbën së vështirësive për zbatimin e Reformës. Nga vitit që vjen sistemi do të furnizohet me gjak të ri. Do të ketë magjistratë të rinj, të mbrojtur. Të përgatitur profesionalisht e moralisht për premtimin e Reformës në Drejtësi”, – tha Ibrahimi.

“Nga viti që vjen, magjistratët në detyrë do të kenë kaluar Vetingun. Do të jenë të vetëdijshëm që statusi i tyre i përmirësuar nuk është privilegj, por mjet për të zbatuar premtimet e Reformës. Dua ta mbyll me një huazim, dallimi midis optimizmit të kujdesshëm dhe tani, janë 2 vite punë e sakrifica. Nuk është dallim i vogël. Dua të përsëris besimin se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë. Detyra jonë që të bëjmë që mos vonojnë”, – tha Ibrahimi.

“Nëse liria vdes në zemrat e njerëzve, atëherë nuk ka kushtetutë, ligje apo gjykatë që ta shpëtojë atë”

Artur Metani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, po gjatë ceremonisë për Ditën Kombëtare të Drejtësisë, theksoi se shoqëria jonë sot ka nevojë për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, që të transmetojnë dhe të ngjallin besim dhe optimizëm tek publiku për sistemin e drejtësisë.

“108 vjet më parë, nënshkruesit e Pavarësisë dhe etërit e krijimit të shtetit shqiptar, hartuan bazën ligjore të organizimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Në shenjë respekti për këtë akt historik dhe normat juridike të krijuara prej tij, 10 Maji kujtohet, nderohet dhe festohet. Kjo nuk do të thotë se sot të harrojmë problemet që ka sistemi dhe nevojën për ta përmirësuar atë, por mendoj se tërë vitin, për një gjë të tillë flasim dhe përpiqemi. Sot është ditë feste dhe reflektimi”, – tha Metani.

“Unë gjej rastin t’i uroj gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë që lidhen me drejtësinë, Ditën e Drejtësisë, dhe t’i inkurajoj të gjithë, për më shumë motivim e me shumë angazhim në punën e tyre fisnike. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë një punë të bukur, frymëzuese dhe të vështirë. E tillë është! E bukur, sepse nëpërmjet profesionit të tyre, ata ndihmojnë njerëz për zgjidhjen e problemeve të tyre”, – shtoi Metani.

“Është e bukur, sepse me profesionin e tyre, ata janë pjesë e dhënies së drejtësisë, e kësaj vlere të shenjtë dhe vitale për funksionimin e një shoqërie demokratike. Është edhe frymëzuese, pasi shoqëria jonë sot ka nevojë për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, që të transmetojnë dhe të ngjallin besim dhe optimizëm tek publiku për sistemin e drejtësisë”, – vijoi Metani.

“Është padyshim edhe e vështirë! Në një shoqëri, ku politika e ka të vështirë të gjejë kufijtë e vet, janë njerëzit e drejtësisë, ata që duhet të ruajnë pavarësinë e institucioneve të demokracisë. Janë ata që duhet të ruajnë parimet e ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve. Shpeshherë, këto parime janë delikate dhe të vështira për t’u gjetur në formë të shkruar në Kushtetutë apo ligje të tjera. Por, për këtë arsye, puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve është e bukur dhe e vështirë”, – theksoi ai.

Sipas Metanit, gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit, të kushtetutshmërisë së akteve ligjore dhe mënyrë së sjelljes së institucioneve, ashtu sic jane mësuar në tekstet e rinj dhe të vjetër të Aristotelit, të John Lock-ut apo Baronit Monteskie, deri në jurisprudencën e gjykatave të rëndësishme në botë, si ajo e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, apo Gjykata e Lartë Amerikane, është padyshim një sfidë intelektuale dhe profesionale, intriguese, por dhe e vështirë.

“Por, mendoj se nëse udhërrëfyes do të jenë Kushtetuta dhe jo politika, nëse do t’i rezistohet përpjekjeve të politikës apo interesave të tjera, që do të kërkojnë të imponojnë vendimmarrjen dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse do të ruhen të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të shenjta këto për çdo jurist, atëherë, i është bërë një shërbim shumë i madh demokracisë, i është bërë një shërbim shumë i madh vendit.
Nga ana tjetër, mendoj se është e nevojshme, që rëndësia e kësaj pavarësie, të pranohet së pari nga vetë gjyqtarët. Gjyqtari i famshëm amerikan Learned Hand, në vitin 1944 fliste për shpirtin e lirisë dhe shprehej se: “Nëse liria vdes në zemrat e njerëzve, atëherë nuk ka kushtetutë, ligje apo gjykatë që ta shpëtojë atë.” Unë dëshiroj t’u them gjyqtarëve, se nëse ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm për forcën e madhe, që i jep pavarësia e dhënies së drejtësisë zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, atëherë as Kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë. Nëse vetë magjistratët nuk janë të bindur për rëndësinë që ka pavarësia e tyre për konsolidimin e një shoqërie të drejtë, atëherë as Kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë”, – përfundoi Metani.

“Duhet të jemi model i drejtësisë që duam”

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami tha se gjyqtarët e prokurorët duhet të jenë modeli i drejtësisë që duam.

“Doja t’ju uroj gëzuar Ditën Kombëtare të Drejtësisë! Është ditë e shënuar për të gjithë qytetarët. Duhet të jemi model i drejtësisë që duam. Duhet ta bëjmë vetë përpara se t’ia kërkojmë të tjerëve. 2021 ishte një vit që na vendosi në sfidë, përfshirë edhe atë të drejtësisë.

Dua të falenderoj gjyqtarët, familjarët, që e mbajtën dyert e drejtësisë të hapura. Jemi përballur me shumë sfida, kushteve bashkëkohore, cilësisë që kërkohet në gjykata. Sfida e madhe mbetet dita e drejtësisë. Dita e drejtësisë na gjeti me më pak gjyqtarë, por na gjen me shumë partnerë që na i kanë bërë përgjegjësitë më të lehta, duke i ndarë së bashku me ne. Faleminderit dhe gëzuar të gjithëve!” – u shpreh Llagami. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.