Tani mund të blesh edhe verë të vjetëruar në… hapësirë

PARIS, 9 maj /ATSH-AFP/ – Një shishe verë franceze e markës Petrus, që udhëtoi rreth Tokës për më shumë se një vit, është vënë në shitje nga shtëpia e ankandeve Christie’s.

Shishja e Pétrus 2000, e bërë nga rrushi merlot në rajonin e Bordosë, kaloi 14 muaj në orbitë si pjesë e një studimi kërkimor, i financuar privatisht, për ushqimin dhe bujqësinë.

Christie’s e ka vlerësuar me një çmim shitjeje prej 1 milion dollarë (720 000 stërlina; 830 000 euro).

Tim Triptree, Mjeshtër i Verërave, i cili punon te Christie’s, tha për BBC se një shishe e rregullt Pétrus 2000 do të shitet së bashku me shishen e vjetëruar, “kështu që blerësi me fat do të jetë në gjendje t’i krahasojë të dyja shijet”.

Space Cargo Unlimited dërgoi 12 shishe verë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor në nëntor 2019.

Pas më shumë se 400 ditësh në hapësirë, duke udhëtuar rreth 300 milionë kilometra  në gravitet zero, vera u kthye në Tokë në janar 2021.

“Është e vështirë për mua të them nëse është më e mirë apo më e keqe, por padyshim ishte ndryshe”, tha një provuese verërash.

Shishet u dërguan në hapësirë ​​si pjesë e Mission WISE, një program kërkimi hapësinor i financuar privatisht dhe i drejtuar nga Space Cargo Unlimited.

Të ardhurat nga shitja e Christie’s do të ndihmojnë në financimin e eksperimenteve të mëtejshme të Space Cargo Unlimited në hapësirë.

Triptree shtoi se kërkimi tregoi se “vera vjetërohet në hapësirë”.

“Kush e di, mbase astronautët e ardhshëm do të kontrabandojnë verë me ta!” tha ai./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.