SPANJE- Qeveria planifikon t’i bëjë me pagesë të gjitha autostradat deri në 2024

MADRID, 8 maj /ATSH-AA/- Qeveria e koalicionit e partive të krahut të majtë në Spanjë ka përgatitur një plan sipas të cilit të gjitha autostradat në vend do të bëhen me pagesë nga viti 2024.

Plani i përgatitur nga Ministria e Transportit e Spanjës tashmë i është dorëzuar Komisionit Evropian.

Sipas planit parashikohet pagesë për përdorimin e të gjitha autostradave me dy ose tre korsi nga 2024, për të siguruar fondet e nevojshme për të mirëmbajtur rrjetin rrugor të gjatë 14.000 kilometra në të gjithë vendin.

Sipas mediave spanjolle, tarifat për përdorimin e autostradave nuk janë përcaktuar ende, por është e mundur që të tarifohen një deri në pesë cent për kilometër.

Mediat spanjolle thonë se pagesa në autostradën Madrid-Barcelona prej 621 kilometrash mund të lëvizë midis 6,21 euro dhe 31,05 euro.

Zyrtarët e Ministrisë së Transportit thanë se ata kishin kërkuar modele të përshtatshme në vitet e fundit për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes së rrugëve, duke shtuar se ata panë një zgjidhje në pagesat e ulëta rrugore.

Pere Navarro, drejtori i Agjencisë së Trafikut, deklaroi se mirëmbajtja e autostradave paguhet në të gjithë Evropën.

“Kur përdorni një tren, ju paguani. Ata që përdorin autostrada gjithashtu duhet të paguajnë. Shërbimet e infrastrukturës duhet të paguhen. Kjo është një çështje shtetërore. Të gjithë duhet të bien dakord për këtë. Ne nuk mund të kërkojmë fonde nga buxheti për mirëmbajtjen e autostradave”, deklaroi Navarro.

Plani i qeverisë për pagesë për të gjitha autostradat shkaktoi reagim të ashpër nga partitë e opozitës, por edhe nga publiku spanjoll.

Në Spanjë, në varësi të administratave autonome, taksat paguhen tashmë në disa autostrada, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.