LSI ankimon rezultatin zgjedhor të 25 prillit për qarkun e Beratit

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi sot në KAS rezultatin zgjedhor për qarkun e Beratit, ndërsa disa ditë më parë depozitoi ankimimin për qarkun Gjirokastër.

Ndërkohë që sot është afati i fundit i ankimimeve për subjektet politike në KAS, LSI pretendon se gjatë numërimit të votave të vlefshme ka pasur parregullsi nga grupet e numërimit.

LSI pretendon se sipas pamjeve filmike dhe provave të mbledhura nga komisionerët e saj, janë të paktën 80 vota të vlefshme që i janë marrë LSI-së.

Në akimimin e saj LSI rendit një sërë shkeljesh të pretenduara, ku  thuhet se në disa qendra votimi u gjetën në kutinë e fletëve të votimit, fletë pa vulë dhe se në çdo KZAZ janë konstatuar tentativa për votim të dyfishtë nga i njëjti zgjedhës.

Po ashtu, sipas LSI, në QV 3431, Ullinjas dhe në QV 3318, Drobonik, është konstatuar nga grupi i numërimit mospërputhje e numrit të votuesve me fletët e votimi, duke shprehur dyshime mbi procedurën e KQV lidhur me mënyrën e verifikimit dhe nxjerrjes së rezultatit të pjesëmarrësve në votim pranë këtyre dy qendrave votimi.

Në qarkun e Beratit LSI nuk arriti të merrte dot asnjë mandat. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.