Dita e Europës/ Mesazhet e autoriteteve shtetërore dhe politikës

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Politikanët shqiptarë uruan sot Ditën e Europës që festohet çdo vit më 9 maj dhe kremton paqen dhe unitetin në Europë.

Meta: Gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

“Shekuj më vonë, Shqipëria u bë viktima e parë e nazifashizmit në Europë, por u rreshtua në anën e duhur të historisë, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga vetja dhe vijuar me çlirimin e popujve të tjerë, në mënyrë që të vinte 9 maji i 1945. E izoluar dhe e harruar për dekada nën regjimin më të egër diktatorial të kontinentit, Shqipëria e përqafoi fuqimisht mesazhin e 9 Majit me përmbysjen e atij regjimi shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t’ju përkushtuar në emër të tyre dhe të dinjitetit njerëzor, të paqes dhe progresit shoqëror, të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Meta.

Presidenti Meta tha se “në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit ’90 “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”, por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa”.

“Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si “dimri demografik”, dramën më të madhe të vendit. Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha ai.

Ruçi: Europa është shtëpia e Lirisë, asimetria e demokracisë midis BE dhe rajonit po ngushtohet

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se “9 Maji i sivjetëm është e dyta Ditë e Europës pasi Shqipëria ka merituar vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave”.

“Dita e Europës pason ditën e fitores mbi fashizmin, dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë dhe Europa vetë është shtëpia e Lirisë. Europa si projekt politik është një ndër projektet më frymëzues të njerëzimit. Por projekti europian shkon përtej kufijvë politikë; është një projekt human, moral, pajtues, qytetërues, perëndimor. Europianizimi, Perëndimizimi dhe Modernizimi përkojnë me njeri-tjetrin. Merita e qytetërimit europian dhe perëndimor është se nuk përjashton, por ndërton ura bashkëpunimi me qytetërimet e tjera të kohës sonë. Sot, në Ditën e Europës, ne, shqiptarët, kemi shumë arsye të gëzojmë. Jo vetëm për rrënjët tona europiane, por edhe për aspiratat tona europaiste. Me kontributin, sakrificat dhe arritjet tona dhe të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor ne po zgjerojmë projektin europian dhe po afrojmë kufijtë politikë të Europës në kufijtë kulturorë të saj. Nuk do të jetë e largët dita kur kufijtë e Europës politike dhe Europës kulturore do të jenë një dhe do të afrohen me kufijtë natyrorë të saj”, tha ai.

“Është merita edhe e popujve tanë që Ballkani Perëndimor ka filluar të perceptohet si një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian. Asimetria e shkallës së demokracisë midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor po ngushtohet ndjeshëm. Jam krenar që integrimi europian është fari që ndriçon Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët dhe që vendimi konsensual i Këshillit Europian për çeljen e negociatave u arrit gjatë shërbimit tim si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë”, tha Ruçi.

Balla: Shqipëria sot është gati të negociojë Marrëveshjen e Anëtarësimit në BE
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se “Shqipëria sot është gati të negociojë Marrëveshjen e Anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
“Europa, për disa shekuj rresht u bë kaq e huaj për gadishullin ballkanik dhe Shqipërinë, sa dukej sikur ndodhi një çarje tektonike. Në të vërtetë, as Shqipëria nuk u zhvendos askund e aq më pak zhvendosjen e bëri Europa. Por, largësia e brendshme mendore dhe shpirtërore ishte e tillë sa që çoi në krijimin e një paradoksi”, thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare”, tha Balla.
“Ky është një paradoks që tashmë i përket historisë, ndërsa Shqipëria sot është gati të negociojë Marrëveshjen e Anëtarësimit në Bashkimin Europian, stacioni i parafundit në rrugën tonë të gjatë të ribashkimit me Europën, që nisi 3 dekada më parë, kur nën thirrjet “E Duam Shqipërinë si e gjithë Europa” shembëm regjimin më të egër komunist që kishte njohur ndonjëherë kontinenti i vjetër. Shqipëria Europiane, e ardhmja jonë”, tha ai.

Gjosha: Koha e një reflektimi nga politika për të marrë më shumë përgjegjësi, e jo për të mashtruar vetveten

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha se tani është “koha e një reflektimi nga politika për të marrë më shumë përgjegjësi, e jo për të mashtruar vetveten”.

“Sot 9 Maji, dita e Evropës! A është edhe Shqipëria gati? Fjalët në këtë proces i merr gjithmonë era, rezultatet janë ato që mbeten! Rezultati i deritanishëm, kemi 7 vite që presim për celjen e negociatave dhe askush nuk di të thotë sot se cila është e ardhmja. Shqipërisë i ka munguar gjithmonë maturia politika dhe sado që ne jemi mësuar të festojmë në këtë ditë, ndoshta ka ardhur koha e një reflektimi nga politika për të marrë më shumë përgjegjësi, e jo për të mashtruar vetveten”, tha ajo.

(vijon)

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.