COVID-19 – Humbja e vazhdueshme e nuhatjes e lidhur me praninë afatgjatë të virusit

PARIS, 9 maj /ATSH-AFP/ – Humbja e nuhatjes, një simptomë e zakonshme e COVID-19, mund të zgjasë për disa muaj te disa pacientë dhe kjo qëndrueshmëri i atribuohet pranisë afatgjatë të virusit dhe të inflamacionit në mukozat e nuhatjes, sipas studiuesve të Institutit “Pasteur”.

Puna e tyre, e botuar në revistën “Science Translational Medicine”, shpjegon mekanizmat e humbjes së nuhatjes të lidhur me COVID-19 në afat të shkurtër dhe të gjatë.

“Sipas rezultateve tona, humbja e nuhatjes gjatë COVID-19 mund të vazhdojë për disa muaj në disa pacientë dhe kjo qëndrueshmëri e shenjave klinike i atribuohet qëndrueshmërisë së virusit dhe inflamacionit në mukozën e nuhatjes”, komenton Marc Lecuit, bashkëautor i studimit.

Studimi tregon se testet klasike RT-PCR të kryera mund të rezultojnë të jenë negative edhe pse virusi vazhdon thellë në zgavrat e hundës, në mukozën e nuhatjes.

Ata zbuluan se COVID-19 infekton dhe replikohet në neuronet e nuhatjes, qelizat imune dhe llojet e tjera të qelizave në mukozën e nuhatjes, duke çuar në inflamacion dhe vdekje të qelizave.

Sipas institucionit, infeksioni i neuroneve të mukozës së hundës “mund të përbëjë një portal hyrjeje në tru dhe të shpjegojë pse pacientë të caktuar zhvillojnë manifestime të ndryshme klinike, të natyrës psikologjike (çrregullime ankthi, depresioni) ose neurologjike (rënie të aftësisë njohëse, ndjeshmëri për të zhvilluar një sëmundje neurodegjenerative)”.

Studiuesit nuk janë të sigurt nëse këta pacientë janë infektues.

“Nëse janë, në rastin më të keq, infektimi është padyshim shumë i dobët. Janë duke u zhvilluar studime për ta përcaktuar atë”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.