Balla inspekton punimet për asfaltimin e rrugës në Rrajcë Sutaj: Rrugët e reja do të zhvillojnë agroturizmin

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla inspektoi sot punën për asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit Rrajcë Sutaj në Prrenjas.

Balla në fjalën tij deklaroi se shtrimi i rrugëve do të zhvillojë agroturizmin e zonës.

“Nuk kemi kohë për pushim prandaj sot jemi në Rajcë për të ndjekur nga afër punimet që po kryhen në shtrimin me asfalt të rrugës kryesore të Rrajcës. Kjo është faza e parë e një projekti. Synimi ynë është zhvillimi i agroturizmit në këtë zonë. Është koha që ta zhvillojmë Rrajcën”, tha ai.

Më tej, Balla shtoi se do të financohen me 5 mijë euro familjet që do ta kthejnë shtëpinë në bujtinë.

Ai e mbylli duke thënë se këto investime e bëjnë Rrajcën një zonë komode për turistët.

“Shumë shpejt do të financojmë me 5000 euro çdo familje në Rrajcë që do ta kthejë shtëpinë në bujtinë. Kjo do të bëhet për turistët e kësaj zone përrallore. Është mbyllur edhe investimi në rrjetin e ujit të pijshëm, një investim rreth 5 milionë eurosh. Këto investime e bëjnë Rrajcën një zonë më një infrastrukturë komode për turistët”, përfundoi Balla.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.