Plan masash për rritjen e parametrave të sigurisë në Durrës

TIRANË, 8/ Maj/ATSH/-  Policia e Durrësit ka zbatuar një plan masash për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet. Gjatë kontrolleve u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, fara cannabis dhe një shumë parash, si dhe u arrestuan 3 shtetas.

Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri ose lëndë narkotike, Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në qytet. Si rezultat i kontrolleve, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: H. K., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 16, Durrës, është ndaluar nga shërbimet e Policisë mjeti tip “Smart”, që drejtohej nga ky shtetas, dhe gjatë kontrollit u gjet një armë zjarri pistoletë, 9 fishekë, 1 thikë dhe një sasi lëndë narkotike marjuanë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

E. K., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili po lëvizte me biçikletë në lagjen nr. 4, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Patrullat e Përgjithshme i janë gjetur 42 doza me lëndë narkotike heroinë, 17 doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë prej 108.890 lekësh dhe 3 grirëse hashashi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. E. H., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në lagjen nr. 1, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në xhep, iu gjetën fara të dyshuara canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.