OSBE vlerëson Presidencën shqiptare gjatë 2020-s/ Arritje të rëndësishme, përballoi sfida të papritura

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Vendet anëtare të OSBE-së vlerësuan maksimalisht kryesimin që vendi ynë i ka bërë kësaj organizate përgjatë vitit 2020. Në raportin vjetor theksohen sfidat e kësaj Presidence por edhe arritjet.

Viti i Kryesisë Shqiptare ishte i rëndësishëm për OSBE-në në shumë aspekte.

Viti 2020 shënoi 45 vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 30 vjetorin e Kartës së Parisit për një Europë të Re, por gjithashtu u karakterizua nga një seri sfidash të të panjohura më parë.

“Shqipëria e nisi kryesinë e radhës duke treguar se, si një shtet i vogël që ka pësuar një tranzicion të madh, kishte fituar forcë dhe stabilitet të jashtëzakonshëm nga të qenit pjesë e këtij komuniteti të bazuar në vlera. Përmes Kryesisë, ajo u përpoq t’i ofronte kontributin e saj Organizatës në shenjë mirënjohje. Programi i paracaktuar nga Kryesia Shqiptare e OSBE-së 2020 u bazua në tre objektiva kryesor: arritja e një ndryshimi në terren; zbatimi i angazhimeve tona së bashku; ndërtimi i stabilitetit përmes dialogut”, thuhet në raportin e OSBE-së.

Kryesia, vijohet më tej, u dha përparësi çështjeve kryesore me të cilat komuniteti i OSBE-së vazhdon të përballet: qoftë konfrontimi ushtarak, përdorimi keqdashës i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi, barazia gjinore ose kufiri i paqartë midis shtetit dhe aktivitetit jo-shtetëror.

“Por viti 2020 do të mbahet mend më së miri për zhvillime të tjera të paparashikuara, përfshi përhapjen e pandemisë COVID-19, e cila i vendosi qeveritë tona, komunitetet dhe punën e Organizatës përballë sprovash të reja, duke përfshirë vakancat e krijuara në mes të vitit në strukturat ekzekutive të OSBE-së, situatën në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale dhe nisjen e luftimeve të rënda në kontekstin e Nago-Karabakut”, citohet raporti.

Këto ngjarje, evidentohet në raport, krijuan presione të reja mbi punën e përditshme të OSBE-së gjatë vitit 2020, të cilat Kryesia u përpoq t’i kapërcente.

“Përballë këtyre vështirësive, Kryesia Shqiptare shpalosi një paketë me objektiva të reja, siguroi vazhdimësinë e aktiviteteve operacionale të OSBE-së pavarësisht kufizimeve të shkaktuara nga COVID-19 dhe emëroi strukturat e reja drejtuese të Organizatës”, thuhet në raport.

Më tej, evidentohet se kryesia shqiptare ishte plotësisht e angazhuar për të siguruar që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të parashikuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të respektohen në të gjithë rajonin e OSBE-së.

“Në thelb të programit të saj, Kryesia Shqiptare vendosi zbatimin e të gjitha parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së, përfshirë ato të përcaktuara në Dokumentin e OSBE-së të Kopenhagenit. Shumë nga sfidat tona aktuale të sigurisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt; të tjera do të evoluojnë dhe të reja do të shfaqen. Kjo kërkon që Shtetet pjesëmarrëse të reflektojnë për mënyrën se si të zbatojnë dhe përshtasin instrumentet e OSBE-së në kontekstin tonë të ndryshueshëm, ndërsa vazhdojnë të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë”, thuhet në raport.

Kryesia shqiptare, citon raporti, i dha përparësi veprimit për të luftuar dhunën me bazë gjinore me qëllim zbatimin efektiv të legjislacionit dhe planeve të veprimit që trajtojnë, zvogëlojnë dhe përfundimisht i japin fund këtij fenomeni të papranueshëm.

“Gjithashtu, Kryesia përfshiu në mënyrë efektive gjininë në të gjitha aktivitetet, duke siguruar përfaqësim të barabartë në të gjitha aktivitetet dhe duke organizuar një konferencë virtuale që prodhoi “Kartën e Raportit të Barazisë Gjinore” që shënon përvjetorin e UNSCR 1325. Kryesia miratoi një qasje të re në të gjitha aktivitet e saj gjatë vitit 2020: të gjitha panelet përfshinin të paktën një folëse femër”, thuhet më tej.

Shqipëria mori zyrtarisht me 1 janar 2020 kryesimin e Organizatës për Siguri dhe bashkëpunim në Europë (OSBE) për vitin 2020.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.