Mbështetje për bizneset me instrumente financiare dhe programe zhvillimi


TIRANË, 8 maj/ATSH/ Qeveria do të vijojë mbështetjen për bizneset me instrumente financiare, por edhe me programe për zhvillimin e kapaciteteve të tyre.

Kështu theksoi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ku solli sot shembullin e Linditës, e cila zgjodhi rozmarinën për të shndërruar idenë e saj në një biznes.

Si fituese e projektit Idea të mbështetur nga GIZ dhe MFE, ajo ka arritur të fitojë mbështetje financiare dhe një menaxhim më të mirë.

Projekti IDEA synon zhvillimin e sipërmarrjeve dhe inovacionit përmes aftësimit të pronarëve të NVM-ve të reja ose ekzistuese në zgjerimin e bizneseve të tyre, ngritjes së potencialit të biznesit dhe konkurrueshmërisë në tregun vendas dhe global.

Prej vitit 2016 deri në 2020, projekti IDEA ka trajnuar rreth 1500 sipërmarrës të rinj dhe ka kontribuar në krijimin e 350 bizneseve të reja. Gjithashtu ka fuqizuar 300 biznese ekzistuese, ka stimuluar krijimin e 500 vendeve të reja pune, ndërkohë që 130 biznese kanë përfituar nga skema e granteve IDEA.

Lindita thekson se nuk është e lehtë të nisësh këtë biznes pasi duhet të gjeje fidanë të certifikuar, tokë organike si dhe tregun për to.

Lindita shprehet se trajnimi pranë IDEA-s ka qenë një nga trajnimet më të suksesshme.

Aktualisht, theksoi ajo në kultivimin e rozmarinës kemi punësuar tre gra, ndërsa shtoi se me rritjen e sipërfaqes do të rritet edhe numri i të punësuarve.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.