Fiskalizimi/ Gjatë prillit u lëshuan 413 805 fatura cash dhe 18 344 elektronike

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Administrata Tatimore në kuadër të zbatimit të reformës së Fiskalizimit publikoi të dhënat e ecurisë së këtij procesi përgjatë 4 muajve të parë të vitit.

Sipas DPT, reforma e Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji.

Referuar të dhënave gjatë muajit prill janë lëshuar 413 805 fatura cash dhe 18 344 fatura elektronike.

Që prej 1 janarit të këtij viti ka nisur faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, ose ndryshe B2G, vetëm me faturë elektronike.

Ndërkohë që janë edhe dy fazat e tjera, konkretisht faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, B2B, që nis prej datës 1 korrik 2021 dhe përkufizon monitorimin e pagesave të këtyre transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar. Dhe faza e tretë që lidhet transaksionet me para në dorë, B2C, me para në dorë, prej datës 1 shtator 2021.

Pavarësisht detyrimit për t’u përfshirë në Fiskalizim sipas afateve të mësipërme, AT kërkon të sqarojë se të gjithë subjektet kanë mundësi të fiskalizojnë transaksionet e tyre përpara këtyre afateve.

Më poshtë gjeni edhe grafikun për 4 muajt e parë, që përmbledh numrin total të faturave të lëshuara, si faturat cash ashtu edhe ato elektronike si dhe numrin e tatimpaguesve. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.