“Europa është këtu”/ Një udhëtim nga veriu në jug të Shqipërisë në Javët e Europës 2021

TIRANË, 8 maj/ATSH/-  Javët e Europës 2021, do të festohen midis të dielës 9 maj dhe të shtunës 29 maj, me një udhëtim 21-ditor nga veriu në jug të Shqipërisë për t’u takuar me qytetarët dhe për t’iu gëzuar veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë.

Zyra e shtypit e BE në Tiranë njofton se, programi i Javëve të Europës të këtij viti ka të bëjë me shkëmbimin me komunitetet vendore përmes një ekspozite lëvizëse rreth BE-së, politikave dhe vlerave të saj, ndihmës së saj financiare për Shqipërinë së bashku me Shtetet Anëtare të BE-së.

“Temat tona kryesore përqendrohen te programet “BE për Shkollat”, “BE për Kulturën”, “BE për Inovacionin”, “BE për Bujqësinë” dhe Erasmus+. Një kombinim i argëtimit shqiptar dhe evropian përmes muzikës, netëve të filmave të BE-së, si dhe dokumentarëve mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, do të shoqërojnë udhëtimin e Delegacionit të BE-së, duke dëshmuar për atë çka kemi treguar deri më tani: Europa është këtu”, thuhet në njoftim.

Me rastin e Javëve të Europës 2021, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha, se “në këto kohëra të vështira, fuqia e solidaritetit na ka afruar edhe më shumë si kurrë më parë. Ndërsa Javët e Europës janë gati të fillojnë, ne nisëm një udhëtim me dëshirën për t’u takuar dhe shkëmbyer, duke shkuar te shqiptarët në qytetet, qytezat dhe fshatrat e tyre, në lugina, në bregdet e në male: për të mbështetur, për të mbrojtur, për të investuar dhe për të festuar.”

Artistët e mirënjohur DJ Oda, Robert Bisha, Marsela Çibukaj, Vitmar Basha dhe të tjerë do t’i bashkohen udhëtimit me performancat e tyre nga Tamara në Butrint, për të festuar bashkimin dhe lidhjet e forta midis Shqipërisë dhe BE-së. Të dielën, më 9 maj, në orën 11:00, Ambasadori Soreca do të japë mesazhin e tij për Ditën e Europës. Programin festivë të javëve të Europës do transmetohen dhe në kanalin Facebook të BE në Tiranë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.