Beci: Në verë vihet në punë impianti diellor energjitik në Vaun e Dejës

TIRANË, 8 maj /ATSH – I. Vata/-Administratori i KESH, Benet Beci deklaroi se në verë do të vihet në punë impianti energjitik me rreze diellore në faqen e digës së Qyrsaqit në Vaun e Dejës.

“Në këtë ditë të bukur me diell është në punë e sipër impianti i parë i kësaj shkalle  për prodhim energjie nga dielli në veri të vendit. Ky është një projekt unik dhe inovator pasi po vendoset në faqen e digës së Qyrsaqit në Vaun e Dejës. Kur të hyjë në shfrytëzim këtë verë do të jetë edhe impianti më i madh i prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri me një kapacitet të instaluar prej 5.1 MW.”, tha ai.

Po ashtu, Beci shtoi se “së bashku me investimet e tjera të pritshme në këtë fushë, qarku i Shkodrës do të kthehet në një qendër të prodhimit të energjisë së pastër, duke qenë edhe një mundësi e vlefshme punësimi për të rinjtë”.

“Kemi filluar bashkëpunimin me shkollat profesionale në  Shkodër për këtë punë, si deputet do të sigurohem që bashkëpunimet të ecin dhe të rinjtë të jenë të trajnuar si duhet e të kenë mundësi për punësim dinjitoz në ekonominë e gjelbër të së ardhmes”, tha ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.