Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ODIHR falënderon Policinë e Shtetit

TIRANË, 7 Maj/ATSH/ Kreu i Delegacionit të ODIHR-it për monitorimin e zgjedhjeve të 25 prillit, Urszula Gacek, i ka dërguar një letër falënderimi drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në lidhje me mbështetjen, bashkëpunimin dhe reagimin e menjëhershëm të strukturave të Policisë gjatë procesit zgjedhor.

Në letër nënvizohet fakti se kjo mbështetje e Policisë ka bërë të mundur që të lehtësohet së tepërmi misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it.

“Në lidhje me veprimtaritë e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it gjatë periudhës 17 mars – 6 maj 2021, dua të shpreh mirënjohjen tonë ndaj Policisë së Shtetit për përkrahjen e dhënë, çka i mundësoi Misionit tonë të operojë me lehtësi.

Gjithashtu falënderoj në mënyrë të veçantë 12 drejtoritë vendore të policisë në qarqet e Shqipërisë, për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe reagimin e menjëhershëm ndaj nevojave të Misionit”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar Veliut. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.