Vetingu/ Komisioneri Publik ankimon konfirmimin në detyrë për gjyqtaren Marinela Osmanin (Nuni)

TIRANË, 7 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Marinela Osmani (Nuni), magjistrate/gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (në momentin e dhënies së vendimit, me detyrë Këshilltare Ligjore në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor).

KPK kishte vendosur në 11 shkurt të këtij viti konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Marinela Osmani, Këshilltare Ligjore në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësore (e komanduar).

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore, që e bëjnë të cenueshëm vendimin.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.