Vaksinimi masiv/ Mbi 585 mijë vaksinime që nga nisja e fushatës “Shqipëria buzëqesh”

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi sot se që prej fillimit të fushatës së vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer 585,693 vaksinime.

Sipas ministres Manastirliu gjatë ditës së sotme janë kryer 13,467 vaksinime në të gjithë vendin.

“Më shumë se 585 mijë vaksinime janë kryer deri tani nga sheshi “Skënderbej”, deri në qendrat shëndetësore në skajet më të largëta të vendit, në një proces vaksinimi shembullor, falë ekipeve tona mjekësore”, tha Manastirliu.

Shqipëria ndodhet në një situatë të qëndrueshme dhe të kontrolluar të pandemisë COVID-19, e cila tashmë ka dalë nga zona e kuqe e hartës botërore të COVID-19 për shkak të uljes së numrit të infektimeve gjatë ditëve të fundit.

Procesi i vaksinimit masiv po vijon në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.

Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.