UASHINGTON – Biden: Ekonomia e SHBA-së ka ende rrugë të gjatë për të bërë

UASHINGTON, 7 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh sërish sot në favor të planeve të tij gjigante të investimeve për të rritur punësimin në SHBA.

“Ne jemi ende duke dalë nga një kolaps ekonomik”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë, duke vënë në dukje se vendi kishte ende “8 milionë më pak punë sesa para pandemisë”.

“Veprimet që ne ndërmarrim janë jetësore (…) Përpjekjet tona kanë filluar të japin fryte. Por e përpjeta është e madhe”, paralajmëroi ai.

Vetëm 266 000 vende pune u krijuan në prill, shumë larg nga një milionëshi i pritur.

Shkalla e papunësisë madje u rrit për herë të parë në gati një vit, në 6,1% (+0,1 pikë), sipas Departamentit amerikan të Punës.

Sipas Biden, kjo konfirmon idenë se është absolutisht e nevojshme të investohen gjatë dekadës së ardhshme gati 4 trilionë dollarë, përfshirë më shumë se 2 trilionë në infrastrukturë, për të krijuar vende pune, në veçanti për punëtorët më pak të qualifikuar./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.