Titulli “Mjeshtër i Madh” për sportistë të dalluar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot arritjet dhe rezultatet e larta të disa sportistëve të spikatur në atletikë, mundje dhe çiklizëm, duke i dekoruar ata me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Kreu i Shtetit dekoroi atleten, basketbollisten, volejbollisten dhe pedagogen Marie Rranzi (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar si sportiste e gjithanshme; pioniere e sportit tek femrat; me rezultate të shkëlqyera në atletikë, basketboll dhe volejboll. Kampionia e parë në sportin shqiptar, pedagoge dhe trajnerë e paharruar. E dalluar në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Meta dekoroi mundësin kampion dhe trajnerin e pasionuar Eljaz Ahmeti (Dini) “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive, në sportin e mundjes klasike, si sportist i ‘Vllaznisë’ dhe ‘Partizanit’. Sportist dhe trajner kampion në veprimtaritë e mundjes klasike.”

Po ashtu, Presidenti dekoroi çiklistin e shquar shkodran, Brahim Syka “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar në sportin e çiklizmit, duke dëshmuar për vite me radhë aftësi të shkëlqyera në rezultatet e arritura me ekipin ‘Vllaznia’ dhe Ekipin Kombëtar”, si dhe Arben Hetan “Në shenjë vlerësimi për kontributin e suksesshëm dhe rezultatet e larta në veprimtaritë kombëtare në sportin e çiklizmit, si dhe në përfaqësimin dinjitar në arenën ndërkombëtare”.

Meta tha se “mjeshtërit që vlerësojmë janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv, pasi me arritjet e tyre, ata na kanë bërë të ndjehemi krenarë”.

“Një falënderim të veçantë kam për familjet e tyre, që i kanë mbështetur, në të gjithë sakrificat që ata kanë bërë, për të pasur suksese në sport. Shembulli i sukseseve të tyre, duhet të jetë një frymëzim, sidomos për fëmijët dhe për të rinjtë e sotëm, që të angazhohen me sport”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.