Shkarkimi i Presidentit/ Gjonaj: Mazhoranca do t’i shkojë deri në fund

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund procesit të shkarkimit të Presidentit të Republikës.

“Unë besoj fort që duke parë edhe rolin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës së fushatës, duke qenë tërësisht jashtë veshjes institucionale që një President i një shteti duhet të ketë, jo më kot është ngritur Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, dhe besojmë se do t’i shkojmë deri në fund, padyshim duke mbajtur në konsideratë që do të jetë një proces që do të zhvillohet në këtë komision të posaçëm që është ngritur ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, tha Gjonaj gjatë një interviste televizive.

Mbi ndryshimet në ligjet e Reformës në Drejtësi Gjonaj tha se ndërhyrja në ligjet e reformës në drejtësi është e përkohshme, deri në plotësimin e kuorumit të Gjykatës së Lartë.

Sipas saj, këto ndryshime, për të cilat tha se kanë ardhur si pasojë e ngërçeve dhe vonesave të vazhdueshme, do t’i japin një zgjidhje shumë të shpejtë vakancave në Kushtetuese.

“Në radhë të parë, dua t’ju them se këto janë ndryshime të cilat kanë kohë që diskutohen dhe përgatiten. Ministria e Drejtësisë, së bashku me aktorët e sistemit të drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë kanë arritur të përgatisin një analizë të ecurisë së reformës në drejtësi dhe kjo është kryer pothuajse një vit më parë. Nga ana tjetër gjithashtu kemi përgatitur të gjithë së bashku mbi bazën e këtyre problematikave që kanë dalë nga analiza e zbatimit të reformës në drejtësi, një paketë me propozime të disa ndryshimeve në paketën e ligjeve të reformës në drejtësi, e cila ka si qëllim dhe synim kryesor: të mos cenohen shtyllat kryesore të reformës në drejtësi, të mos cënohen parimet dhe standardet që kjo reformë ka vendosur, që me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016”, tha Gjonaj.

“Këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e disa ngërçeve dhe vonesave që janë shkaktuar në mënyrë të vazhdueshme që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i ligjeve më pas që lidhen pikërisht me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Po gjithashtu edhe zhbllokimin e proceseve gjyqësore dhe një numër të lartë çështjesh që presin në Gjykatën e Lartë”, u shpreh ajo.

“Duke mbajtur në konsideratë numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokuroreve që sot janë në sistem, janë kryer edhe disa ndryshime me propozimet e reja, që sjellin mundësinë që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë të marrin drejtësinë dhe që proceset gjyqësore të zhvillohen në një kohë shumë më të shpejtë dhe të shkurtër”, theksoi Gjonaj.

E pyetur nëse ndërhyrja në ligjin për Gjykatën Kushtetuese do të shërbejë për përshpejtimin e përzgjedhjes së tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që vijnë nga Gjykata e Lartë, Gjonaj tha se, “dua të kujtojë që kjo është një ndërhyrje provizore, është e përkohshme, deri sa të plotësohet kuorumi i Gjykatës së Lartë, duke parashikuar këtë si një procedurë, me qëllim që të arrihet plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ne jemi të bindur se jo thjesht si Ministria e Drejtësisë por i gjithë grupi i punës duke përfshirë këtu edhe asistencën dhe mbështetjen e vazhdueshme të misioneve ndërkombëtare si Euralius dhe OPDAT, por njëkohësisht SHBA dhe BE, mendojmë se kjo do t’i japë një zgjidhje shumë më të shpejtë plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese”.

Sa i përket akuzave të aktorëve politike, mes të cilëve dhe Presidenca se këto ndryshime cenojnë besimin tek reforma në drejtësi, ministrja i cilësoi të pavërteta.

“Këto absolutisht nuk janë aspak të vërteta për të vetmin fakt se ky ka qenë një proces gjithëpërfshirës, duke përfshirë jo vetëm aspektin teknik të ekspertizës, por njëkohësisht edhe institucionet e drejtësisë, të cilët kanë qenë ata që kanë sjellë propozimet për ndryshimet përkatëse. Dhe më pas, është parë relevanca nga gjithë grupi i punës duke përfshirë dhe misionet ndërkombëtare”, tha Gjonaj.

“Që në momentin e parë që ne kemi përgatitur propozimet për ndryshimet ligjore, ka qenë pikërisht që ne mos të kemi asnjë cenim të parimeve dhe standardeve të reformës në drejtësi. Kjo i jep vetëm një energji më shumë paketës ligjore të reformës në drejtësi në këtë moment të zbatimit të saj, me qëllim që jo vetëm të kemi plotësim të vakancave në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë më të shpejtë, por njëkohësisht edhe për të pasur procese gjyqësore që të kryhen në kohë më të shpejtë dhe kohë më të shkurtër për të dhënë drejtësi”, përfundoi Gjonaj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.