Sezoni turistik/ Mirëmbajtje monumenteve të kulturës në Gjirokastër

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Kalaja e gurtë e Gjirokastrës vazhdon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.
Ditët e fundit punonjësit e mirëmbajtjes në Gjirokastër kanë nisur punën për pastrimin e këtij monumenti nga vegjetacioni për sezonin e ri turistik.
DRTK Gjirokastër shprehet se “mirëmbajtja e kalasë paraqet vështirësi për shkak të madhësisë dhe mureve shumë të larta. Por pavarësisht kësaj stafi i DRTK procedon gjatë gjithë kohës me pastrimin e saj”.
Gjatë fundjavës që kaloi qyteti i Gjirokastrës u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh vendas, ndërsa pritet që këtë sezon turistik me kryerjen edhe të vaksinimit masiv kundër COVID-19 të presë më shumë turistë vendas e të huaj se vitin e kaluar.
Kalaja e Gjirokastrës përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës kur Ali pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.