Rindërtimi i sistemit kullues/ Rama ndan pamjet nga Mbrostari: Shqipëria punon dyfishin e sipërfaqes së tokës krahasuar me 7 vjet më parë


TIRANË, 7 maj/ATSH/ Një nga investimet e rëndësishme të qeverisë në mbështetje të bujqësisë është edhe garantimi i ujitjes së tokave bujqësore, që ka dyfishuar sipërfaqen e tokës së punueshme në Shqipëri, duke e çuar atë nga 120 mijë ha në 240 mijë ha.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ndërhyrja që po kryhet në Mbrostar, Fier, ku vijon pa u ndalur puna për rindërtimin e sistemit kullues, falë të cilit sot Shqipëria punon dyfishin e sipërfaqes së tokës krahasuar me 7 vjet më parë.

Rehabilitimi i sistemit të kullimit dhe vaditjes është padyshim investimi më i mirë që po i bëhet ripërtëritjes së bujqësisë dhe ekonomisë së vendit.

Në këtë drejtim, ndërhyrje rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhet në gjithë fushën e Myzeqesë.

Rindërtimi i sistemit kullues të tokave ka lehtësuar situatën e përmbytjeve, por edhe ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore.

Ringritja e sistemit të kullimit të tokave bujqësore garanton që fermerët e fushës së Myzeqesë të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.

Po ashtu, hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse.

Me ndarjen e re territoriale rreth 50 % e gjithë territorit të bashkisë Fier është zonë rurale dhe pothuajse tërësisht është zonë bujqësore dhe me tokë shumë pjellore.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.