Raporti i observatorit të futbollit “CIES”/ Gjimshiti dhe Uzuni, mes lojtarëve më të mirë në Itali e Hungari

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Observatori i futbollit “CIES” ka publikuar së fundmi një raport me të dhëna të grumbulluara nga InStat mbi performancën e futbollistëve në Europë.

Kjo listë është bazuar në veprimet teknike të lojtarëve, minutat e luajtura dhe nivelin e kampionateve ku futbollistët kanë zhvilluar ndeshjet e tyre.

Kështu, në Serinë A, mbrojtësi i talentuar i Kombëtares shqiptare, i cili po shkëlqen me skuadrën e “Atalantës”, Berat Gjimshiti, renditet ndër 10 futbollistët me më shumë performancë në kampionatin italian.

Ai gjendet i teti në këtë listë, me dy pikë më pak se suedezi Ibrahimovic apo futbollisti i “Romës”, Mkhitaryan.

Gjithashtu, në ligën hungareze, sulmuesi shqiptar, Myrto Uzuni, që ka bërë mjaft mirë në këtë sezon me “Ferencvaroshin” në Hungari, radhitet i pesti në listën e futbollistëve me më shumë performancë këtë sezon.

Këto vlerësime për dy futbollistët shqiptarë janë një lajm mjaft i mirë, jo vetëm për ta dhe skuadrat ku ato militojnë por edhe për Kombëtaren shqiptare.

Observatori i futbollit CIES është një grup kërkimor brenda Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një qendër studimi e pavarur, me seli në Zvicër, i specializuar në analizën statistikore të futbollit dhe është krijuar në 2005 nga dr. Raffaele Poli dhe dr. Loïc Ravenel.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.