Qeveria e Kosovës miraton programin qeverisës, pjesë e tij edhe padia ndaj Serbisë

PRISHTINË, 7 maj /ATSH/ Menaxhimi i pandemisë dhe lehtësimi i pasojave ekonomike të shkaktuara nga COVID-19, janë dy prioritet e Qeverisë Kurti. Ekzekutivi pas më shumë se 40 ditëve prej kur është votuar, ka miratuar sot programin qeverisës për vitet 2021-2025. Për këtë program ka abstenuar ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se menjëherë pas diskutimit të programit qeverisës, i njëjti do të lekturohet dhe të plotësohet me disa pjesë në gjuhën serbe. Ai para kabinetit qeveritar ka përmendur dy prioritet e qeverisë që ai udhëheq.

“Menaxhimi i pandemisë të shkaktuar nga COVID-19 duke synuar të minimizojnë pasojat në shëndetin publik dhe lehtësimi i pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, e të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit tonë shtetëror. Menaxhimi i pandemisë është duke u bërë në shumë fronte. Megjithatë, me prioritet për qeverinë tonë mbetet sigurimi sa më i shpejt i vaksinave. Jemi duke punuar dhe tashmë janë konfirmuar një numër solid i tyre. Shumë shpejt do të sigurojmë edhe dozat e tjera të vaksinave në mënyrë që deri në vitit të sigurojmë imunizimin e 60 për qind të popullsisë së vendit tonë”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se rikthimi i ekonomisë, është sfida tjetër me të cilën po përballet vendi. Kurti ka premtuar krijimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran gjatë mandatit, ndërsa vitin e ardhshëm shuarjen e Agjencisë së Privatizimit.

Ai është zotuar se do të përmbyllin sistemin informativ shëndetësor dhe reformën e administratës publike. Ndërsa, Trepçën në ndërmarrje fitimprurëse.

Kurti ka treguar edhe prioritetet në rrafshin ndërkombëtar, ku theksoi padinë për gjenocid ndaj Serbisë në GjND,anëtarësimin në kartën e Adriatikut, por vuri në pah edhe bashkëpunimin me Shqipërinë.

“Do të aplikojmë dhe anëtarësohemi në kartën e Adriatikut. Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes reciproke. Do të afrohemi dhe punojmë ngushtë me Shqipërinë. Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në GjND. Do të jemi të aftë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe do të bëjmë mbikëqyrje demokratike e civile të FSK-së. Do të punojmë me përgjegjësi institucionale, llogaridhënie të vazhdueshme, kompetencë profesionale, ndershmëri qytetarëve, transparencë radikale, integritet personal dhe disiplinë organizative si disa nga vlerat e qeverisë tonë”, ka theksuar ai.

Kurti ka përmendur Vetingun në drejtësi dhe ndërtimin e më shumë se 160 çerdheve në krejt Kosovën.

E ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq ka deklaruar se nuk e voton programin meqë nuk e ka pranuar me kohë materialin.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se bazuar në përhapjen e variantit të ri të COVID-19, u ndalohet hyrja udhëtarëve nga tri shtete.

“Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut. Shtetasit e Republikës së Kosovës që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpi dhe vendbanimet e tyre për 14 ditë, duke u testuar 2 herë në javë. Kjo pikë nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë tranzit më pak se 48 orë në shtetet e përcaktuara”, shton ai.

Sot janë zëvendësuar edhe emrat e Këshillit Shtetëror për Vlerësimin dhe Disiplinë.

“Janë dy persona të cilët i kemi marrë sot si anëtarë në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Edhe këta të dy janë sekretarë të përgjithshëm në ministri. Njëri është në Ministri të Shëndetësisë tjetra në Ministri të Mbrojtjes. Dhe emrat e tyre janë Naim Bardiqi dhe Rozafa Ukimeraj”, ka njoftuar Kurti para medieve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu propozoi që në kuadër të agjendës legjislative të përfshihet edhe plotësim ndryshimi i ligjit për agjencinë e konfiskimit të pasurisë së paluajtshme./Sh.Pajaziti

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.