“Procesi zgjedhor i suksesshëm”/ Celibashi: Deri tani vetëm një ankesë në KQZ

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi  deklaroi sot se, ka vetëm një ankesë në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit, të paraqitur nga LSI që lidhet me rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës.

Gjatë një interviste televizive Celibashi tha se, “si Komisioner Shtetëror mbështes çdo lloj iniciative e cila ka për qëllim të qartësojë çdo pikë të errët në lidhje me këto zgjedhje. Qoftë përsa i përket pjesës që lidhet me veprimtarinë e KQZ-së, për të cilën deri tani duket qartazi që askush nuk ka asnjë pretendim, por edhe për veprimtarinë e institucioneve të tjera, apo dhe në përgjithësi për të gjithë procesin zgjedhor”.

“Është shumë e rëndësishme që ne të sqarojmë çdo gjë dhe palët të kuptojnë se ku kanë qenë në fund të fundit me rezultatin që kanë marrë”, theksoi ai.

I pyetur për fletët e pavlefshme dhe cila prej palëve është dëmtuar më shumë, Celibashi tha se, “këtë nuk mund ta themi, nuk e dimë se cila prej palëve është dëmtuar në këtë numër të madh, sinjifikativ të fletëve të votimit të pavlefshme. Mendoj që kjo pavlefshëmri e madhe e fletëve të votimit, ky numër ka ardhur patjetër për shkak të mënyrës sesi ne e kemi prezantuar përmbajtjen e fletës së votimit. Prezantimi i kandidatëve nëpërmjet numrave duket se ka krijuar një lloj konfuzioni dhe paqartësie tek votuesit, megjithë një fushatë të paprecedentë që ka bërë KQZ-ja për të informuar votuesit për mënyrën sesi duhet të plotësonin fletën e votimit”.

Për problematikat gjatë ditës së votimit dhe procesit të numërimit Celibashi tha se, “për ditën e votimit nuk është se ka pasur ndonjë problematikë të tillë që tregonte për një cënim të integritetit të procesit të votimit etj. Problematika në orët e para të mëngjesit ka qenë e lidhur me përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik. Ka qenë një angazhim super gjigand për KQZ-në dhe mendoj që ka qenë një projekt që mund të konsiderohet i suksesshëm sepse vetëm në 167 qendra votimi nuk patën mundësi të përdornim pajisjen e identifikimit elektronik”.

“Ka pasur raportime sporadike në lidhje me konflikte të komisionerëve në një qendër votimi por pastaj me kalimin e kohës dhe orëve të votimit janë zgjidhur. Por kanë qenë mjaft sporadike krahasuar me herët e tjera”, theksoi ai.

“Procesi i numërimit mendoj që të paktën pjesa e parë e tij është administruar shumë mirë dhe ka pasur një lloj tensioni, por që duket që i ka shërbyer mirë integritetit të procesit, sepse palët kanë treguar gjithë kujdesin që të paktën përsa i përket numërimit të votave për partitë politike dhe kandidatët e pavarur, procesi të shkonte shumë mirë”, u shpreh Celibashi. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.