Paketa e Reformës në Drejtësi/ Gjonaj: Argumentet e Presidentit dritëshkurtëra, qytetarët të prekin sa më shpejt rezultatet

TIRANË, 7 Maj/ATSH/ Argumentet e Presidentit të Republikës, janë subjektive dhe dritëshkurtëra. Miratimi me 96 vota në muajin mars i disa ndryshimeve në paketën e reformës në drejtësi kanë qëllim që qytetarët ta ndjejnë sa më shpejt rezultatet e drejtësisë nga institucionet e reformuara të drejtësisë shqiptare.

Kështu deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit, duke iu referuar dekretit të presidentit Meta që kthen në Kuvend paketën e ndryshimeve të Reformës në Drejtësi.

Ajo deklaroi se në Gjykatën e Lartë sot janë 35 000 çështje ende të pashqyrtuara, të cilat përmes këtyre ndryshimeve të propozuara nga një grup deputetësh dhe të mbështetur nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë, i hapet rruga për t’u zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë.

“Paketa e rëndësishme legjislative e miratuar në këtë Kuvend më 23 mars 2021 përmbylli përpjekjen për të thjeshtuar dhe lehtësuar ecurinë e reformës në drejtësi me synimin e rritjes së efektshmërisë të sistemit të drejtësisë dhe për të garantuar që qytetarët të prekin sa më shpejtë rezultatet e kësaj reforme. Jemi sot në këtë seancë për të rikthyer kokën pas, sepse për t’u dekretuar nuk mjaftuan 96 votat që miratuan paketën e 10 ligjeve të reformës në drejtësi në datën 23 mars të këtij viti”, – deklaroi Gjonaj.

“Në këtë legjislaturë kemi punuar për më shumë se 7 muaj deri sa ndryshimet në 10 ligjet themelore të reformës në drejtësi u miratuan nga ky Kuvend. Cilido të ketë qenë kundërshtari i reformës pas miratimit të kësaj pakete, duhet të ishte më së paku i heshtur sot, ku shqetësimi parësor ishte plotësimi i gjykatave, lehtësimi i procedurave të gjyqësorit dhe kompetencat e SPAK-ut”, – tha Gjonaj.

“Duke theksuar pa reshtur se gjykata e lartë ka më shumë se 35 000 çështje të pashqyrtuara, paketa hapi rrugën për t’i dhënë fund çështjeve të akumuluara. Ndryshimet e 23 marsit, plotësimi i vakancave të gjykatës së lartë, i sjell qytetarëve shkurtim të pritjes me vite për zgjidhjen e çështjeve që kanë për marrjen e drejtësisë së premtuar në kohën më të arsyeshme dhe më të pakët sesa është mesatarja e vendeve të Këshillit të Europës”, – tha ministrja e Drejtësisë.

“Ne nuk kemi pretenduar se gjithçka zgjidhet me një të rënë të lapsit. Sepse është një proces i tërë me të pritura dhe të papritura që pasojnë nga veprime të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe largimi i tyre dhe plotësimi i vakancave. Këto ndryshime do të përshpejtojnë shqyrtimin e disa llojeve të çështjeve në gjykata. Zgjidhje ju dha jo vetëm problematikave në gjykatën e lartë, por dhe në apelin dhe shkallën e parë”, – nënvizoi Gjonaj.

“Prej fillimit të kësaj legjislature e deri në fund të saj, ne e lidhëm ngushtësisht me reformën në drejtësi sepse PS e kishte qëllim dhe e trajtoi si mision reformimin e sistemit të drejtësisë. Dhe ja sot vijmë këtu sërish për të trajtuar kundërshtimin institucional që kthen  për rishqyrtim ligjet që nga komisioni përgjegjës i Kuvendit u përfshinë automatikisht në punët e Kuvendit”, – tha Gjonaj.

“Dëshiroj të ritheksoj sot se argumentet e institucionit të Presidentit, lidhur me miratimin përmes një procedure antikushtetuese, dhe në mungesë të konsultimit gjithëpërfshirës, janë të pabaza, por cenojnë fort angazhimin real të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët me ekspertizën e tyre, kanë qenë dhe janë në krah të qeverisë shqiptare për zbatimin e reformës madhore, tek Reforma në Drejtësi”, – shtoi Gjonaj.

“Këto ndryshime të diskutuara në tryeza pune dhe të institucioneve të drejtësisë të dakordësuar në OPDAT, EURALIUS dhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët kanë patur dhe një analizë të mirëfilltë për problematikat, por dhe kanë nxjerr dhe zgjidhjet për këto. Askush nuk mund ta mendonte kur u hartua paketa e Reformës në Drejtësi se do të kishim një situatë të tillë”, – deklaroi ministrja e Drejtësisë.

“Dhe ku stoku i çështjeve do ishte kaq i madh, prandaj së bashku dhe me eksperiencën e marrë nga praktikat në zbatimin e ligjit të paketës erdhëm me këto propozime. Vonesat e shkaktuara për shkak të kthimit të kësaj pakete, më të rëndësishme që nga miratimi i reformës në drejtësi në vitin 2016, nuk e ndihmojnë në arritjen e rezultateve reformën në drejtësi, duke përfshirë jo vetëm eficiencën e Reformës në Drejtësi, por dhe trajtimit financiar të SPAK, BKH, të cilat tashmë do të ishin në fuqi dhe do të ekzekutoheni”, – shton Gjonaj.

“Argumenti se me këto ndryshime mund të mbulohen defektet e Rreformës në Drejtësi, është argument jo vetëm joprofesional, por edhe subjektiv dhe dritëshkurtër. Kjo paketë përveç se i jep energji sistemit për t’u përballur me ngarkesën dhe numrin e pakët të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por dhe rrit eficiencën duke shkurtuar procedurat gjyqësore dhe kohën e gjatë të pritjes. Kjo paketë ka respektuar në çdo pikë dhe presje çdo parim dhe çdo nen të Reformës në Drejtësi pa ndryshuar asgjë në atë çfarë është miratuar nga kjo reformë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2016”, – tha Gjonaj.

“Nëse i referohemi argumenteve të presidentit për ndryshimet në kodin e procedurës penale, ku kundërshtohet në procedurë dhe jo në përmbajtje, duke paraqitur një qëndrim dualist të institucionit të Presidentit, ku nga njëra anë i paraqet si zgjidhje të përkohshme të problematikave të konstatuara nga zbatimi i ligjeve të reformës dhe nga ana tjetër nuk paraqet asnjë argument shterues mbi përmbajtjen e këtyre ndryshimeve duke qëndruar tek kundërshtimi i procedurës së ndjekur nga Kuvendi”, – vijon Gjonaj.

“Duket sikur këto dekretet kanë synim jo vetëm akumulimin e problematikave të krijuara, por akoma më tej, sikur shkojmë në një luftë të vazhdueshme në drejtësi. Këtu nuk bëhet fjalë për çështje me interes vetjak apo keqdashës, por është një interes i përbashkët për të përfunduar sa më shpejtë zbatimin e reformës në drejtësi dhe për të garantuar që qytetarët ta ndjejnë sa më parë drejtësinë përmes institucioneve të tij. Ju ftoj të jemi të gjithë bashkë dhe të rrëzojmë dekretet e Presidentit për t’i hapur rrugë zbatimit të reformës në drejtësi”, – përfundoi ministrja Gjonaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.