Paga mesatare bruto u rrit me 2,4 % në vitin 2020/ Aktivitetet financiare dhe të sigurimit, më të paguarat

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Në vitin 2020, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 53.662 lekë.

INSTAT publikoi anketën e Forcave të Punës sipas së cilës, krahasuar me vitin 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 2,4 %.

Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet financiare dhe të sigurimit, informacionin dhe komunikacionin, administratën publike dhe mbrojtjen, sigurimin social të detyrueshëm, arsimin, shëndetësinë dhe aktivitetet e punës sociale.

Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, dhe bujqësia, silvikultura dhe peshkimi.

Referuar INSTAT, hendeku gjinor në paga është 6,6 %. Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet ekonomike që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 31,9 %.

Gjatë vitit 2020, 26,2 % e kontribuesve në kategorinë e të punësuave me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Për vitin 2020, paga minimale zyrtare ishte 26.000 lekë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.