Naftë falas për fermerët deri në 2025, procesi i shpërndarjes së kartave vijon normalisht në të gjithë vendin


TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi tha se, “skema e mbështetjes së qeverisë për të dhënë naftë falas për fermerët do të vijojë deri në 2025  dhe fondet që do të japim për këtë skemë do të vijnë duke u rritur”.

Gjatë takimit me fermerë përfitues të kësaj skeme në Ishëm të Durrësit, Ekonomi bëri të ditur se, procesi i shpërndarjes së kartave të naftës falas për fermerët, po vijon normalisht në të gjithë vendin.

“Bashkë me deputetin e Qarkut Durrës, Jurgis Cyrbja ishim në zonën e Ishmit, ku fermerë të shpallur fitues të skemës, kanë tërhequr kartat e tyre”, – u shpreh Ekonomi.

Nafta falas për bujqësinë iu vjen në ndihmë fermerëve për mbjelljet e pranverës, me kosto më të ulët dhe prodhimtari më eficiente përmes përdorimit të mekanikës bujqësore.

“I sigurova ata se skema e mbështetjes me naftë pa taksa do të vijojë edhe në të ardhmen”, – theksoi Ekonomi, teksa vuri në dukje se vitin e ardhshëm aplikimi do të jetë edhe më i lehtë, pasi fermerët kanë aplikimin e parë, kur startoi skema.

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët Ekonomi tha se, “edhe Skema Kombëtare është një mbështetje tjetër që ka ngjallur interes të shtuar tek fermerët, për të përfituar subvencione në veprimtarinë bujqësore që ushtrojnë”.

“Jemi pranë jush me specialistët tanë dhe shpresoj që prodhimin bujqësor do ta kemi edhe më të mirë se vitin e kaluar”, – u shpreh Ekonomi.

Ndërsa fermerët u shprehën optimist për mbështetjen që kanë përfituar si nga nafta falas, apo edhe Skema Kombëtare dhe ndanë eksperiencat e tyre për arritjet në fermat e tyre. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.