Mbi 2 milionë e 390 mijë vaksina antikovid të kontraktuara/ Manastirliu: Ritëm i lartë vaksinimi, në mesataren e vendeve të BE-së

 

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Mbi 746 mijë vaksina kanë mbërritur deri më sot në vendin tonë, më shumë se 572 mijë tashmë janë kryer, nga të cilat 136 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza.

Kështu deklaroi sot në Kuvend ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Sasia e vaksinave të kontraktuara deri më sot mbi 2 390 000 vaksina, të cilat po vijojnë të vijnë sipas kalendareve të lëvrimit dhe planit tonë të vaksinimit masiv të popullatës. Kemi mbërritur në vaksinimin e grupmoshës mbi 60 vjeç. Kemi vijuar me dozën e parë dhe po vijojmë me vaksinimin e dozave të dyta mbi 400 mijë të moshuar si dhe nëpërmjet planit të vaksinimit të kombinuar janë vaksinuar më shumë se 5 mijë punonjës të fabrikave material përpunuese, mbi 3 500 punonjës të operatorëve turistikë. Ndërkohë q ëka filluar vaksinimi me dozën e dytë të 12 mijë efektivëve të Policisë së Shtetit” , – theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se Shqipëria sot radhitet në vendet me ritëm shumë të mirë të vaksinimit sa i përket vaksinimit të popullsisë për 100 banorë në 7 ditët e fundit. Jemi në të njëjtin ritëm si mesatarja e vendeve të BE-së dhe vaksinimi vijon me intensitet të lartë” i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore në vend si dhe në qendrat e vaksinimit të përqendruara tashmë në të gjithë vendin”.

Sipas saj, vendi ynë bazuar në të dhënat epidemiologjike ka dalë nga zona e kuqe, nga zona e riskut së COVID-19 krahasuar me  vendet e rajonit dhe Europës.

“Kemi një incidencë të ulët dhe gjatë javës së 17, që është mbyllur jemi në nivelet e 26.6 raste për 100 mijë banorë nga 30.7 raste për 100 mijë banorë në javën e mëparshme. Incidenca javore vijon të mbetet e ulët në nivel 52.4 raste për 100 mijë banorë, kemi një rënie të pozitivitetit total në 3.8%”, – tha Manasatirliu.

Numri pacientëve në spitale, vijoi ministrja, është ulur dhe dje kemi shënuar një ritëm akoma më të ulët se ditët e mëparshme, 111 të shtruar në spitalet COVID.

Duke folur për kalendarin e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se pritet lëvrini i metëjshëm i dozave të vaksinave, për të zgjeruar fashat sipas grupeve të riskut.

“Pak ditë më parë kanë mbërritur në Shqipëri 11,700 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës sonë me kompaninë Pfizer dhe sasia e parë e dozave që vijnë në kuadër të mbështetjes së instrumentit të Bashkimit Europian. Ndërkohë që çdo javë pritet lëvrimi i mëtejshëm i kontratave të lidhura, duke siguruar dozat e dyta por edhe duke zgjeruar fashat, sipas grupeve të riskut”, bëri me dije Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka folur në Kuvend për sigurinë e vaksinave që përdoren në vendin tonë për të cilat u shpreh: “Të dyja vaksinat, Coronavac dhe Sputnik po vlerësohen për aprovim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga Agjencia Europiane e Barnave. Sot sigurisht që disponohen shumë më shumë evidenca shkencore për efikasitetin e vaksinave. Emëruesi i përbashkët për çdo vaksinë është një dhe vetëm një: Vaksinat ulin drastikisht efektet e rënda në shëndet dhe fatalitetet nga COVID 19”.

Duke shprehur vendosmërinë për të rritur disponibilitetin e vaksinave në vend me qëllimin vaksinimin e gjithë popullatës brenda pranverës së vitit që vjen, Manastirliu tha se brenda muajit maj do të përmbyllet vaksinimi i stafeve të operatorëve turistik për të pasur një sezon turistik më të lehtësuar.

“Ne jemi duke bërë gjithçka që kemi në dorë për t’i paraprirë një sezoni turistik krejt ndryshe nga ai i vitit të shkuar, me më shumë lehtësi. Ndaj do të përmbyllim brenda muajit maj vaksinimin e plotë të stafeve të operatorëve turistik, për një sezon turistik përtej pandemisë”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.