Kuvendi rrëzoi 10 dekretet e Metës/ Dervishaj: Qeveria po “rrëmben” Drejtësinë

TIRANË, 7 maj /ATSH – I. Vata/ Këshilltari për Çështjet Ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj, ka dalë sot me një deklaratë për mediet pasi Kuvendi rrëzoi 10 dekretet e presidentit Ilir Meta për Reformën në Drejtësi.

Dervishaj tha se Kuvendi nuk e argumentoi vendimin e tij për rrëzimin e dekreteve në baza ligjore, por sipas tij u pa një “retorikë politike dhe gjuhë e përbaltjes”.

“Sot fatkeqësisht pamë se si seanca plenare e Kuvendit që po i përfundon mandati rrëzoi 10 dekrete të Presidentit që rikthyen 10 ligje që prekin themelin e reformës në sistemin e drejtësisë. Ndërsa prisnim që të dëgjonim në diskutimet e deputetëve përpjekjen për të argumentuar ligjërisht rrëzimin e dekreteve, fatkeqësisht dëgjuam vetëm retorikë politike, fjalë boshe, pa asnjë vlerë për shoqërinë dhe shqiptarët, pa asnjë vlerë për sistemin e drejtësisë dhe një gjuhë përbaltëse dhe aspak të denjë për një shtet të së drejtës”, tha ai.

“10 ligje Kuvendi arrin t’i shqyrtojë brenda një dite, këtë ritëm do e kishte zili çdo vend europian për deputetët e tij. Kuvendi në një ditë, më 23 mars të këtij viti miratoi 10 ligje të hartuara nga qeveria që ndryshojnë rrënjësisht reformën e që u kthen në muajin prill me dekrete nga Presidenti, ndërkohë që u ndryshuan brenda një dite, janë hartuar miratuar e konsultuar pas një analize 2-vjeçare të gjithë sistemit të drejtësisë në vitet 2015-2017”, tha ai.

Dervishaj shtoi se “Reforma në drejtësi në këto vite iu besua një grupi ekspertësh të nivelit të lartë e iu hoq qeverisë e drejta për të ndërhyrë”.

“Roli i Kuvendit në këto vite ishte rol certifikues i produktit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj e vendas pa pasur të drejtën qeveria për të ndërhyrë në thelbin e tyre. Në të gjitha hapat Reforma në Sistemin e Drejtësisë u certifikua para se të shkonte në miratim në Kuvend nga Komisioni i Venecias, ndaj pyetjet që i bëhen Kuvendit dhe të gjithëve janë këto: Pse qeveria sot rrëmben Reformën në sistemin e Drejtësisë, rrëmben drejtësinë. Përse nuk u konsultuan këto ndryshime me Komisionin e Venecias për të siguruar një opinion objektiv dhe të pavarur. Pse u hodh poshtë puna e pavarur e ekspertëve të nivelit të lartë dhe u miratuan këto ndryshime me kaq urgjencë? Kushdo kupton se ky veprim i sotëm i qeverisë është që të rrëmbejë drejtësinë”, deklaroi Dervishaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.