Komisioni hetimor/ Reagon Presidenca: Nuk do të njohim asnjë vendim antikushtetues të Kuvendit

TIRANË, 7 maj /ATSH – I. Vata/ Presidenca reagoi sot nëpërmjet këshilltarit për Mediet dhe zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi në lidhje me vendimin e Kuvendit për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit.

Në reagimin e tij, Blushi shprehet se “Presidenti i Republikës Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që iu dha prej tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit”.

“Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si  dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik. Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton  vëmendje dhe është nul. Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje sovraniteti”, shprehet ai.

Po ashtu, Blushi shton se “Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim.

“Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, shprehet ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.