FOTO/ Puka me lule dekorative në shëtitoren dhe parkun e liqenit të qytetit

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Lulet shumëngjyrëshe i kanë dhënë një pamje plot gjallëri shëtitores dhe parkut të liqenit të qytetit të Pukës.

E njohur si një prej qyteteve më të pastra dhe me gjelbërim masiv Puka vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm numrin e mbjelljeve duke e zgjeruar hartën e zonave të gjelbëruara edhe jashtë rrugës kryesore të qytetit.

Punonjësit e shërbimeve komunitare kanë startuar sezonin e mbjelljes së luleve dekorative në shëtitoren dhe parkun e liqenit të qytetit, i cili tashmë është dhe nën monitorimin e kamerave.

Banorët e Pukës dhe vizitorët tashmë kanë mundësi më shumë për të pushuar në ajrin e freskët që të ofron qyteti.

Qyteti i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.